Basha: “1”-shi nuk përfaqëson sot vlerat e demokratëve, nuk luftohet korrupsioni me Elvis Roshin dhe Ilir Metën
Kreu i Koalicionit Euroatlantik Lulzim Basha nga studioja e lajmeve ne "Ora News" i bëri thirrje demokratëve të vërtetë, të cilët ai i udhëhoqi për disa vite që alternativa e tyre është Koalicioni Euroatlantik dhe jo “1”-shi, duke nënkuptuar Aleancën PD-ASHM.
“Partia e vërtetë demokratike është Koalicioni Euroatlantik. Këtu janë demokratët që u kanë qëndruar sakrificave, njerëzit që u kanë qëndruar në krah qytetarëve dhe njerëzit që kanë bërë betejat më të forta me Edi Ramën dhe që nuk i kanë bashkuar votat me të për të nxjerrë të korruptuarit nga burgu; që nuk i janë bashkuar Ramës në afera dhe kulla betoni, pra demokratët e vërtetë dhe partia e vërtetë demokratike është Koalicioni Euroatlantik.
Ndaj iu bëj thirrje demokratëve që janë hutuar me të drejtë nga kjo situatë dhe që një pjesë e madhe e kanë gjetur rrugën dhe një pjesë tjetër shpresoj shumë që deri në datë 11 ta gjejë dhe ta kuptojnë se shpresa e vërtetë e tyre është Koalicioni Euroatlantik.
Në listën tonë janë drejtuesit e PD-së ndër vite që kanë sakrifikuar gjithçka, janë zëdhënësit më të fuqishëm të kauzave të PD-së. Tek 1-shi është Elvis Roshi, Ilir Meta, Pëllumb Shullazi, kandidati për kryetar bashkie i Edi Ramës.
Pra janë kandidatët e lidhur drejtpërdrejtë me Edi Ramën, keq më vjen, por “1”-shi sot nuk përfaqëson as sakrificën e as shpresën e demokratëve.
Sot kemi një mbështetje të jashtëzakonshme dhe në rritje nga të gjithë ata demokratë që e shikojnë shpresën e tyre tek Koalicioni Euroatlantik, numri 4.
“1”-shi sot është Elvis Roshi, Ilir Meta dhe askush nuk mund të dalë e të thotë që do të luftoj krimin me Elvis Roshin dhe korrupsionin me Ilir Metën”, u shpreh ndër të tjera, Lulzim Basha.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME LULZIM BASHËN

