Analiza e DW: Greqia nuk duhet t’i shesë më anije Rusisë
Në flotën ilegale ruse lundrojnë shumë ish-anije greke.
Shitja e anijeve të vjetëruara është fitimprurëse për pronarët grekë të anijeve. Deputetët e BE-së i kanë bërë thirrje qeverisë greke të veprojë.
36 anëtarë të Parlamentit Europian i kanë drejtuar drejtpërdrejt një letër kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, në të cilën i kërkojnë që ai duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të parandaluar çdo shitje të mëtejshme të anijeve greke në Rusi.
“Ne kemi besim te ju dhe qeveria juaj”, shkruajnë nënshkruesit e letrës, ndër të cilët është edhe politikania gjermane e partisë liberale FDP, Agnes Strack-Zimmermann.
Ajo përfaqëson grupin liberal Renew në Parlamentin Europian.
“Pyetja është nëse firma të ndryshme bëjnë biznese me Rusinë pa dijeninë e shtetit grek”, tha Strack-Zimmermann.
“Ne i kemi bërë thirrje qeverisë greke të hetojë për këtë çështje dhe nëse është e nevojshme, të ndërhyjë.”
Parlamentarët evropianë citojnë një studim të organizatës amerikane Brookings, sipas të cilit më shumë se një ndër tri anije të flotës ilegale ruse, ndaj së cilës SHBA-ja ka vendosur së fundmi sanksione, u përkisnin më parë pronarëve të anijeve nga Greqia.
Kompanitë greke të transportit detar janë furnizuesit më të mëdhenj të rusëve me anije.
Shumica e anijeve duhet të jenë shitur vite më parë.
Por me sa duket shitjet vazhduan edhe pas pushtimit rus të Ukrainës. Sipas studimit që prej asaj kohe pronarët e anijeve greke kanë fituar nga transaksione të tilla rreth katër miliardë dollarë.
Dekreti i BE-së i dhjetorit 2023 lidhur me sanksionet kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë parashikon detyrimin për raportimin e transaksioneve të tilla tek autoriteteve përkatëse.
Në këtë dekret thuhet gjithashtu se është e ndaluar që Rusisë t’i shiten anije cisterna si drejtpërdrejt ashtu edhe tërthorazi./DW
