FOTO+VIDEO/ Dalin pamjet e gruas kamikaze tek ATM në Selanik. Hetuesit: Ishte emigrante! Dyshojmë shumë për një akt...
Pamje tronditëse nga kamerat e sigurisë zbulojnë momentin e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi në orët e para të së shtunës në Selanik dhe i mori jetën një 38-vjeçareje me të kaluar kriminale.
Ngjarja u regjistrua pranë një filiali banke, në kryqëzimin e rrugëve Agiou Dimitriou dhe Platonos, ku dyshohet se gruaja po përpiqej të vendoste një mjet shpërthyes në një bankomat për ta grabitur.

Pamjet që qarkullojnë në mediat greke tregojnë se shpërthimi ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në ndërtesa përreth, makina të parkuara dhe dyqane.
Vala goditëse ishte aq e fortë saqë banorët menduan se po ndodhte tërmet. Dritaret e apartamenteve në katet e sipërme u thyen, ndërsa një pjesë e tabelës së bankës u shkëput dhe ra mbi trupin e gruas, duke e bërë fillimisht të vështirë identifikimin e saj nga forcat e rendit.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, 38-vjeçarja — me origjinë nga Gjeorgjia — kishte një dosje të gjatë penale, përfshirë përfshirje në grabitje të armatosura, trafikim droge, falsifikim dokumentesh, prostitucion dhe armëmbajtje pa leje.
Ajo ishte arrestuar më parë në vitin 2021 për strehimin e një grabitësi të njohur të bankave në Greqi dhe kishte vuajtur dënim në burgun e Korydallos.
Pas ngjarjes, policia dhe njësitë e antiterrorit izoluan zonën për orë të tëra, duke mbledhur çdo gjurmë materiale dhe video nga kamerat e sigurisë për të zbuluar nëse ishin të përfshirë edhe persona të tjerë.
Deri tani nuk është përjashtuar mundësia që mjeti shpërthyes të jetë vendosur me qëllim grabitjen e bankomatit për të marrë para nëpërmjet një shpërthimi të kontrolluar, por gjithçka përfundoi tragjikisht kur bomba shpërtheu ndërsa gruaja ishte ende pranë saj.
Sipas dëshmitarëve okularë, gruaja fillimisht e vendosi pajisjen shpërthyese pranë hyrjes së filialit të bankës dhe u largua, por u kthye disa minuta më vonë për të parë nëse gjithçka po shkonte sipas planit. Pikërisht gjatë kësaj përpjekjeje për të kontrolluar pajisjen, ndodhi shpërthimi që i preu një dorë dhe e la të gjakosur në vend.
Ndërhyrja e shpejtë e ambulancës nuk mjaftoi për të shpëtuar jetën e saj, ndërsa transportohej në spitalin “Ippokrateio” në gjendje të rëndë me plagë të rënda dhe gjymtime të rrezikshme për jetën.

Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Drejtorisë së Krimeve të Organizuar dhe me mbështetjen e Antiterrorit, duke u fokusuar në dy pista: një akt kriminal individual për përfitim ekonomik dhe një përfshirje të mundshme në ndonjë rrjet kriminelësh terroristë.
Zona e shpërthimit, përfshirë rrugët Agiou Dimitriou, Platonos, Olympou dhe Peloponnisou, mbetet e bllokuar për qarkullimin, ndërsa banorët ndihen ende të traumatizuar nga ajo që ndodhi pranë shtëpive të tyre.
HETIMET

Ngjarja e pazakontë që ndodhi në orët e para të mëngjesit në një lagje qendrore të Selanikut ka ngjallur sa reagime aq dhe pyetje të shumta. 38-vjeçarja S.P., që humbi jetën në mënyrë tragjike duke mbajtur një pajisje shpërthyese është tashmë në qendër të hetimeve për përfshirje në akte të tjera kriminale.
E ndjera ishte emigrante e huaj, nga Gjeorgjia, një vend ish sovjetik. Ajo ishte 38 vjeçe, por me të kaluar të pasur penale.
Pamjet filmike kanë zbuluar përpjekjen e saj për të vendosur bombën pranë Bankës Kombëtare Greke, kthimet e përsëritura në vendngjarje dhe momentin fatal kur ajo shpërtheu në duart e saj.
Autoritetet greke janë duke hetuar nëse pas këtij veprimi qëndronte një plan më i gjerë kriminal apo ishte një veprim i izoluar i një individi me një të kaluar të errët.
Dyshimet janë se kemi të bëjmë me një akt terrorist. Policia tha se po hetohet kjo pistë ndërsa dosjet tregojnë se në 2021, gruaja atëherë 34 vjeçe ishte arrestuar teksa dilte nga një taksi me një burrë që ishte përfshirë bashkë me të në grabitje banke.
Sakaq viktima është e lidhur edhe me rastin në të cilin, në shkurt të vitit 2024, u shkatërrua një rrjet ekstremistësh dhe kriminelësh, të cilët ishin përgjegjës për dërgimin e një pakoje-bombë në gjykatën e Selanikut.
Në këtë rast, hetimi i policisë greke zbuloi se prodhuesit e bombës ishin dy piroteknikë nga Ushtria dhe Forcat Ajrore, kundër të cilëve ishte ngritur një padi penale.
Forcat Antiterroriste, gjatë kontrollit që kryen në shtëpinë e 38-vjeçares, gjetën detonatorë dhe materiale për eksplozivë, një fakt që e lidh atë me skenarin e sulmit terrorist.
Të shtunën pasdite, pas hetimeve të hollësishme, autoritetet gjetën shtëpinë e 38-vjeçares që u vra në shpërthim, e cila ndodhet në qendër të Selanikut, në Ladadika, të cilën ajo e kishte marrë me qira si Airbnb.
Në fakt, forca të shumta nga Policia dhe Forcat Antiterroriste nxituan menjëherë atje dhe kryen një kontroll të imët të shtëpisë.
Atje gjetën disa detonatorë, fitil, së bashku me material që i referohet eksplozivëve të përdorur për të bërë bomba, si dhe një sasi të vogël TNT, një fakt që e "lidh" çështjen dhe 38-vjeçaren me skenarin e një akti terrorist.
Pronari i shtëpisë i tha policisë se "një person tjetër ishte ai që kishte rezervuar apartamentin me qira afatshkurtër dhe se ai nuk e kishte parë kurrë 38-vjeçaren".
/Noa.al



