Trump planifikon të vendosë tarifë prej 100% për filmat e prodhuar jashtë vendit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha dje në mbrëmje se do të vendoste tarifa 100% për filmat e prodhuar jashtë vendit dhe të importuar në SHBA, mes një shtytjeje më të gjerë proteksioniste.

“Industria e Filmit në Amerikë PO VDES shumë shpejt”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”, duke pretenduar se vendet e huaja po ofrojnë të gjitha llojet e stimujve për të larguar regjisorët dhe studiot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hollivudi dhe shumë zona të tjera brenda SHBA-së po shkatërrohen.

“Kjo është një përpjekje e bashkërenduar nga Kombet e tjera dhe, për këtë arsye, një kërcënim për Sigurinë Kombëtare”, shtoi Trump.

“Unë po autorizoj Departamentin e Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të fillojnë menjëherë procesin e vendosjes së një tarife prej 100% për çdo film që vjen në vendin tonë dhe që prodhohet në vende të huaja. NE DUAM FILMA TË BËRA NË AMERIKË, SËRISH!”, shkroi ai.

Nuk është e qartë se si do të zbatoheshin tarifa të tilla, as si do të ulnin kostot për studiot e Hollivudit.

Xhirimet në vende të caktuara për filmat e Hollivudit janë zhvendosur gjithnjë e më shumë në vende jashtë SHBA-së për shkak të kostove më të ulëta të prodhimit dhe stimujve tatimorë që gjenden jashtë vendit.

Në vitin 2024, Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, propozoi një investim të madh i cili do t’i lejonte Kalifornisë të tejkalonte shtetet e tjera që ofrojnë kredi tatimore, duke tërhequr më shumë projekte të industrisë së argëtimit përsëri në Shtetin e Artë.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka ndjekur një politikë tregtare agresive, duke vendosur tarifa të larta importi me qëllimin e deklaruar për të sjellë sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tarifat e Trump po i nxisin njerëzit në të gjithë botën të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me Uashingtonin.