Të shtëna në qytetin universitar në Suedi, raportohet për të plago*ur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin universitar të Uppsalës, rreth 70 kilometra në veri të Stokholmit, ku janë raportuar të shtëna me armë në një zonë të frekuentuar të qytetit.

Sipas autoriteteve suedeze, alarmi është dhënë pak pas orës 17:00, kur qytetarët raportuan për të shtëna në afërsi të një berberhaneje, pranë një sheshi qendror jo larg stacionit të trenit.

Policia ka nisur një operacion të madh në vendngjarje, ndërsa perimetri është rrethuar.

Dëshmitarë okularë kanë folur për radion shtetërore suedeze Sveriges Radio, duke thënë se kanë dëgjuar disa krisma, duke shkaktuar panik në zonë.

Mediat vendase raportojnë se disa ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje dhe se ka persona të plagosur.

Policia e ka konfirmuar këtë informacion, megjithatë, ende nuk janë dhënë detaje mbi numrin apo gjendjen e të lënduarve.

Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën derisa situata të vihet plotësisht nën kontroll.