“MOS HARRONI TË LUTENI PËR NE”/ Dom Mark Pashkja: Papa Françesku ia doli ta mbledhë sot “Botën” përreth tij
Të paktën 250 000 persona, përcollën sot për në banesën e fundit Papa Françeskun. Arkëmorti i Atit të Shenjtë, i nxjerrë nga bazilika përmes Derës së Lutjes, u vendos në makinën papale.
Procesioni do të kalonte nëpër qendër të Romës për të shoqëruar trupin e Papa Françeskut në Santa Maria Maggiore, ku ai do të varrosej.
Një lumë njerëzish shoqëronin makinën papale me arkivolin e papa Françeskut, ndërsa mijëra të tjerë u mblodhën përgjatë rrugës nga Vatikani në Santa Maria Maggiore, ku u varros Bergoglio.
Duartrokitje dhe foto ndërsa kalonte makina papale, për një lamtumirë të fundit Papës.
Zëdhënësi i Kishës Katolike, Dom Mark Pashkja në një intervistë për “Ora News” u shpreh se mesazhi më i fortë që u dha sot përmes pamjeve dhe zhurmës ishte ai i njerëzve të vendosur të dy anët e rrugës që personifikonin më së miri atë se çfarë është Kisha dhe vetë Papa Françesku.
“Kemi parë që sot ishin të pranishëm në ceremoninë e Atit të Shenjtë përfaqësues të shumë shteteve, apo thënë ndryshe njerëzit e pushtetshëm, e po aq aty ishin dhe njerëzit e thjeshtë, apo populli i Zotit.
Kisha është ky realitet i përjetshëm që përbëhet në radhë të parë nga persona, të krijuar me imazhin e Zotit ku pak rëndësi kanë pushtetet tokësore dhe privilegjet.
Në fakt Ati i Shenjtë, Papa Françesku në funeralin e tij arrit të mbledhë këto realitete, qoftë politike, qoftë sociale, apo njerëzore në nderim të tij, si vetë Pontifikati i tij i cili pati për qëllim dhe punoi për arritjen tek çdo periferi, tek çdo realitet.
Pjesa e dytë besoj se ishte procesioni me trupin e tij nga Vatikani tek Bazilika e Santa Maria Maggiore-s, ku kaloi e tejkaloi në Romën historike, në ato vende ku janë hedhur hapat e parë të Kishës, kaloi pranë Koloseumit, ku të krishterët për 300 vite u martirizuan si kulm e si fryt e besimit të tyre.
E në këtë aspekt, besoj se e gjithë Bota mori këtë mesazh në funeralin e Papa Françeskut, ku dashuria, liria dhe e vërteta janë elementet esencialë për një jetë të duhur dhe të shijueshme mbi tokë.
Në fakt që në shfaqjen e tij të parë mbi ballkonin e Shën Pjetrit, në mars të vitit 2013-të kur bota u njoh me Papën e ardhur nga fundi i botës, siç e quante ai veten, një prej veprimeve të tij shumë surprizuese ishte kur ai si Papë kërkoi bekimin dhe lutjen e popullit.
Zakonisht tradita e Kishës e kërkon që Papa shfaqet në ballkonin e Kishës për të bekuar popullin dhe besimtarët e Zotit, por ai atë natë kërkoi bekimin e tyre.
Në çdo dalje të tij, në çdo audiencë, meshë e kishte shprehjen e tij klasike që të thoshte: “Ju lutem, mos harroni, lutuni për mua”. E në fakt kjo sot në mënyrë shumë elegante nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve iu drejtua Atit të Shenjtë duke i thënë që tani është koha që ti të lutesh për ne”, u shpreh Dom Mark Pashkja.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME DOM MARK PASHKJAN
MESAZHI I DEKANIT TË KOLEGJIT TË KARDINALËVE
“Pavarësisht brishtësisë dhe vuajtjeve të tij të fundit, papa Françesku zgjodhi të ndiqte këtë rrugë deri në ditën e fundit të jetës së tij tokësore. Ai ndoqi gjurmët e Zotit të tij, Bariut të Mirë, i cili i deshi delet e tij deri në atë pikë sa dha jetën e tij për to. Dhe e bëri këtë me forcë dhe qetësi, pranë kopesë së tij, Kishës së Zotit”, tha kardinali Giovanni Battista Re në homelinë e tij në meshën mortore.
Duartrokitje nga turma, në Santa Maria Maggiore dhe në Shën Pjetër, kur dekani kujtoi angazhimin e Françeskut për paqen.
Qindra mijëra besimtarë nxorën në pah fragmentet më domethënëse të fjalimit, kur kardinali kujtoi vlerat kryesore të papatit të Bergoglios, nga thirrjet kundër luftës deri te mendimi ndaj migrantëve dhe atyre në nevojë.
“Në bashkim shpirtëror me të gjithë Krishtërimin, jemi këtu në numër të madh për t’u lutur për papa Françeskun, në mënyrë që Zoti ta mirëpresë atë në pafundësinë e dashurisë së tij. Papa Françesku i mbyllte fjalimet dhe takimet e tij personale duke thënë ‘Mos harroni të luteni për mua’.
Tani, i dashur papa Françesku, ju kërkojmë të luteni për ne dhe ju kërkojmë që nga qielli ta bekoni Kishën, ta bekoni Romën, ta bekoni të gjithë botën, siç bëtë të dielën e kaluar nga ballkoni i kësaj bazilike, në një përqafim të fundit me të gjithë popullin e Zotit, por idealisht edhe me njerëzimin që kërkon të vërtetën me zemër të sinqertë dhe mban lart pishtarin e shpresës”, tha kardinali Giovanni Battista Re.



