Dom Artur Jaku rrëfen kujtimet me Atin e Shenjtë: Mungesa e tij është e madhe. Papa Françesku e njihte shumë mirë historinë e klerit në Shqipëri
Vatikani njoftoi vdekjen e Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare, me shkakun e vdekjes një goditje në tru që çoi në koma dhe dështim të zemrës.
Pas vdekjes së tij, do të vijojë një periudhë zie nëntëditore, përpara se të fillojë procesi i gjatë i zgjedhjes së një Pape të ri.
Ndërkaq gjatë ditës së nesërme kur do të mbahet dhe ceremonia e varrimit, në Vatikan pritet të mblidhen liderë shtetesh, përfaqësues të lartë të kishës dhe besimtarë nga e gjithë bota për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papës që u njoh si zëri i të varfërve dhe i shtresave të margjinalizuara.
Lidhur me këtë ngjarje të papritur për botën katolike, Dom Artur Jaku në një intervistë për “Ora Neës” solli detaje jo vetëm nga ceremonia e nesërme mortore, por edhe kujtimet e tij nga jeta e Papa Françeskut që u nda nga jeta këtë të hënë, një ditë pas kremtimit të Pashkës.
“U bënë 12 vite që Papa Françesku është papa i të gjithë Botës, dhe si Papë në këto vite ka ditur ta bëjë për vete të gjithë botën me përulësinë, dashurinë dhe respektin ndaj njeriut.
Ai ishte një zë i fuqishëm sa i përket drejtësisë dhe barazisë sociale në bote dhe për këtë arsye duhet thënë që mungesa e tij është e madhe.
Megjithatë ne nuk besojmë vetëm tek vdekja, por besojmë edhe tek Ngjallja dhe për këtë arsye ne dimë se në Qiell kemi një “avokat” për botën mbarë.
Unë kam pasur fatin dhe privilegjin të jetoj disa vite në Romë dhe disa herë kam qenë i pranishëm në faljet e tij, e kam takuar edhe personalisht dhe nisur nga kjo me të vërtetë që Papa Françesku ka qenë një figurë atërore. Dhe kur je përballë tij ndjen një emocion të veçantë.
Praktikisht, atij i kishte mbetur në mendje populli shqiptar, i cili ka nxjerrë figura të mëdha për botën katolike, sikur është dhe Nënë Tereza.
Sa herë flisje me Papa Françeskun gjithmonë e kishte të ngulitur në mendjen e tij vuajtjet, persekutimin e klerit fetar në Shqipëri, veçanërisht atij katolik, në periudhën e komunizmit”, u shpreh ndër të tjera Dom Artur Jaku.
Po ashtu, Dom Artur Jaku foli edhe mbi detajet e organizimit të ceremonisë mortore nga Vatikani Zyrtar, si dhe shpjegoi mënyrën se si do të bëhet përzgjedhja e Papës së ri.


