Burri denoncon në policinë e Dibrës: Disa meshkuj më futën në mes dhe bënë me mua vepra të turpshme. Policia: Është një mashtrim!

Një burrë ka denoncuar në policinë e Dibrës se disa meshkuj të panjohur e kanë futur në mes dhe e kanë dhunuar atë verbalisht dhe fizikisht, madje kanë kryer me të vepra të turpshme homoseksuale.

Por policia tha sot se denoncimi është kryekëput një kallëzim i rremë, duke këmbëngulur se 43 vjeçari as është dhunuar dhe as është prekur nga ndonjë mashkull.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit Y. K., 43 vjeç, banues në Burrel.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte bërë një kallëzim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore, duke deklaruar në mënyrë të pavërtetë se ishte dhunuar dhe i ishin kryer veprime të turpshme nga persona të panjohur. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurori.