Angelina Jolie rrëfen filmin që i ndryshoi jetën dhe karrierën: “Më ndihmoi të mos përfundoja si ajo…”
Aktorja hollivudiane Angelina Jolie ka zbuluar së fundmi se roli i saj në filmin “Gia” ishte momenti që i ndryshoi rrënjësisht jetën dhe karrierën.
Pas disa roleve të vogla në vitet ‘90, si në “Cyborg 2”, “Without Evidence” dhe “Hackers”, Jolie filloi të tërhiqte vëmendjen me rolin e saj në filmin televiziv “George Wallace”, për të cilin fitoi një Golden Globe.
Por ishte pikërisht filmi “Gia” ai që shënoi një kthesë të vërtetë për aktoren, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes në industrinë kinematografike.
Në këtë film, me regji të Michael Cristofer, Jolie portretizoi supermodelen Gia Carangi, një ikonë e viteve ’80 që vdiq tragjikisht nga SIDA në moshën 26-vjeçare.
Aktorja pranoi se kishte hezituar ta pranonte rolin për shkak të ngjashmërisë emocionale me jetën e saj personale në atë kohë, duke u përballur edhe vetë me varësi nga droga. Jolie tha për “Variety”:
Nuk doja ta bëja. Kisha frikë nga ndikimi emocional që mund të kishte tek unë… Por producentët ndjenë se unë isha personi i duhur. Në fund, roli më ndihmoi si një formë terapie. U identifikova me Gia-n, ajo ishte personazhi më i afërt me mua.
Angelina shtoi se përmes këtij roli, dëshironte të shfaqte humanizmin që shpesh fshihet pas varësive, si edhe dhimbjen që mbetet e padukshme për publikun.
Për interpretimin e saj në “Gia”, ajo fitoi një tjetër Golden Globe dhe një çmim SAG, duke e përforcuar pozicionin e saj si një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.
Pas këtij suksesi, karriera e saj mori hov të madh, duke kulmuar me rolin në “Girl, Interrupted”, ku fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë dytësore, si dhe me shndërrimin në ikonën e filmit aksion Lara Croft në “Tomb Raider”, që i solli famë globale.

