Tragjedia në diskotekën e Koçanit/ Në muajin maj nis procesi i marrjes së dëshmive nga të dëmtuarit
Prokuroria në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar se gjatë muajit maj do të fillojë procesi i marrjes së dëshmive nga të dëmtuarit në tragjedinë e Koçanit, në të cilën si pasojë e zjarrit në klubin e natës “Pulse” humbën jetën 62 persona.
Prokuroria po i mbledh të dhënat, kontaktet dhe adresat, ndërsa varësisht prej gjendjes shëndetësore tyre, por edhe kushteve dhe rrethanave të tjera do të ftohen për të dhënë dëshmi.
Organi i akuzës njofton se po ndërmerr veprime intensive me qëllim të sigurimit të provave për procedurën penale, por edhe realizimin e të drejtave të të dëmtuarve.
Nga dy hetimet e Prokurorisë së Koçanit dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, deri më tani janë të përfshirë 68 persona fizik dhe 3 juridik.
Mes tyre ka ish zyrtarë të lartë, por edhe aktual nga disa institucione.
Ndërsa përgjegjësi kërkohet edhe nga eprorë policorë.
Një zjarr që shpërtheu në klubin e natës “Pulse”, në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mëngjesin e 16 marsit, i mori jetën 62 personave dhe la të lënduar mbi 150 të tjerë.
Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës, duke u përhapur me shpejtësi pas ndezjes së mjeteve piroteknike.
