'A nuk keni mjaft tokë?'/ Kryediplomati i Polonisë dënon lu*tën e Rusisë në Ukrainë
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, lëshoi një deklaratë të ashpër ndaj Rusisë në një fjalim vjetor të mbajtur në dhomën e ulët të parlamentit polak, duke e akuzuar Kremlinin për “fantazitë e dominimit” dhe duke e pyetur me ironi: “A nuk keni tokë të mjaftueshme?”.
Fjalimi i tij ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe një thirrje për forcimin e unitetit perëndimor përballë kërcënimit rus.
Sikorski përshkroi situatën aktuale në kufirin lindor të Polonisë si të rrezikshme, ndërsa shprehu shqetësimin për mundësinë e zgjerimit të luftës përtej Ukrainës.
“Ankthi dhe pyetja se çfarë do të ndodhë janë vendosur në shtëpitë polake,” tha ai, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet transatlantike.
Polonia është ndër aleatët më të vendosur të Kievit dhe aktualisht shpenzon për mbrojtje më shumë se çdo vend tjetër i NATO-s, përfshirë SHBA-në.
Ajo planifikon të arrijë 4.7% të PBB-së këtë vit dhe 5% në vitin 2026, në përpjekje për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm nga Lindja.
Ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt Presidentin amerikan Donald Trump, Sikorski kritikoi në mënyrë të nënkuptuar lëshimet që Trump ka shfaqur ndaj Rusisë, përfshirë qëndrimet që kanë vënë në dyshim mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe qëndrueshmërinë e NATO-s.
Ai paralajmëroi se kërcënimi më i madh për sigurinë e Polonisë është “shpërbërja e komunitetit perëndimor.”
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Kremlinit, Sikorski u shpreh: “Nuk do të sundoni më kurrë këtu – as në Kiev, as në Vilnius, as në Riga, as në Talin, as në Kishinau.
Imperializmi rus është armiku ynë.” Me një ton të prerë dhe pa kompromis, ai theksoi se politika e Polonisë ndaj Putinit mbetet e qartë dhe e pandryshueshme: “Ne nuk do të kemi tjetër.”
