Qytetet termale historike të Europës në rrezik nga ndryshimet klimatike
Temperaturat në rritje, përmbytjet dhe thatësira kërcënojnë burimet natyrore të ujërave termale që kanë formuar qytetet e famshme termale të Europës, një trashëgimi që daton prej kohës së Romës së lashtë dhe që ka tërhequr për shekuj vizitorë në kërkim të shëndetit dhe mirëqenies.
Njëmbëdhjetë prej këtyre qyteteve – si Bath në Mbretërinë e Bashkuar, Baden Baden në Gjermani dhe Vichy në Francë – janë të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Sot, përballë sfidave që sjell ngrohja globale, këto qytete po bashkohen me programin “Preserving Legacies” të Shoqatës National Geographic për të mbrojtur trashëgiminë e tyre nga rreziqet klimatike.
Në kuadër të këtij programi, qytetet do të përfitojnë mjete të reja, trajnime teknike dhe bashkëpunim me rrjete partnerësh për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, duke shërbyer si model për qytetet e tjera të Europës.
Sipas Naomi O’Toole, koordinatore e komunikimit për organizatën The Great Spa Towns of Europe, ndryshimet klimatike tashmë po japin efektet e para. Përmbytje të shpeshta kanë prekur qytetin austriak Baden bei Wien në vitin 2024 dhe Spa në Belgjikë në 2021.
Në Bath, pishinat historike Cleveland janë mbyllur përkohësisht për shkak të dëmeve nga përmbytjet e përsëritura – megjithëse ishin projektuar për përmbytje që ndodhin një herë në 100 vjet, ato janë përmbytur çdo vit për tre vite radhazi.
Këto fenomene përbëjnë jo vetëm humbje të trashëgimisë së çmuar kulturore, por edhe rrezik ekonomik, pasi turizmi kulturor përbën 40% të turizmit global dhe kontribuoi me 9.1% në PBB-në botërore gjatë vitit 2023.
“Trashëgimia kulturore është më shumë se bukuri estetike – ajo është baza ekonomike e shumë komuniteteve përmes turizmit, zanateve dhe bujqësisë tradicionale,” thotë Victoria Herrmann, drejtoreshë ekzekutive e Preserving Legacies dhe eksploruese e National Geographic.
Ajo paralajmëron se mungesa e investimeve në përfshirjen e trashëgimisë në politikat e rezistencës ndaj klimës është një mangësi serioze dhe e rrezikshme.
Përmes programit “Preserving Legacies”, liderët lokalë do të trajnohen për të kryer vlerësime të rreziqeve klimatike dhe për të zbatuar strategji përshtatjeje që do të mbrojnë burimet natyrore termale dhe peizazhet kulturore për brezat e ardhshëm.
Sipas Chiara Ronchini, sekretare e përgjithshme e The Great Spa Towns of Europe, qëllimi afatgjatë është krijimi i një modeli të aplikueshëm edhe për destinacione të tjera në Europë që po përballen me pasoja të ngjashme nga ndryshimet klimatike.
