Gjykata urdhëron administratën “Trump” të rikthejë menjëherë financimet dhe punonjësit e “Zërit të Amerikës”
Një gjykatës federal në Uashington ka urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump të rikthejë menjëherë financimet dhe punonjësit e Zërit të Amerikës, duke e konsideruar ndërhyrjen si shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve federale.
Administrata e Presidentit Donald Trump ka humbur një tjetër betejë ligjore, këtë herë përballë lirisë së shtypit.
Një gjykatës federal në Uashington urdhëroi rikthimin e fondeve dhe punonjësve të Zërit të Amerikës dhe mediave të tjera të mbështetura nga SHBA, duke e cilësuar ndërhyrjen e Trump si shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës.
Vendimi vjen pas largimit të mbi 1,300 punonjësve, përfshirë afro 1,000 gazetarë, pas një urdhri ekzekutiv që synonte çmontimin e këtyre institucioneve.
Trump i kishte akuzuar Zërin e Amerikës si radikale dhe “propagandë kundër administratës së tij” dhe kishte iniciuar ndërprerjen e fondeve përmes Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikëqyr edhe Radion Evropa e Lirë dhe Radion Azia e Lirë.
Gjykatësi Royce Lamberth e cilësoi veprimin “arbitrar” dhe të dëmshëm për informimin e lirë të publikut në mbarë botën, duke theksuar shkeljen e Aktit për Transmetimet Ndërkombëtare dhe cenimin e të drejtave të Kongresit për kontrollin e buxhetit.
Patsy Widakuswara, shefja e zyrës së Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, e përshkroi vendimin si një hap të rëndësishëm në mbrojtje të gazetarisë së pavarur, por paralajmëroi se beteja ligjore do të vijojë, pasi qeveria pritet të apelojë.
E themeluar më 1942 për të kundërshtuar propagandën naziste, Zëri i Amerikës është sot një nga platformat më të rëndësishme të lajmeve globale. Në historinë 83-vjeçare të saj, ajo mbylli për here të parë sinjalin më 15 mars të këtij viti.

