Han: Presim rezultat pozitiv nga bisedimet tregtare Kore e Jugut-SHBA

Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Han Duck-soo pret që bisedimet tregtare të kësaj jave me SHBA-në të hapin rrugën për një rezultat reciprokisht të dobishëm, tha ai sot gjatë një takimi të kabinetit, sipas “Reuters”.

Presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa reciproke prej 25% për importet e mallrave nga Koreja e Jugut në fillim të këtij muaji, të cilat janë ndërprerë për 90 ditë. Tarifat për sektorin e automjeteve dhe çelikut mbeten në 25%.

“Takimi është planifikuar me kërkesë të SHBA-së dhe do të mbahet në Uashington më 24 prill”, tha Han.

Duke folur me gazetarët përpara nisjes së tij në Uashington, ministri i Financave Choi Sang-mok tha se ai synonte të kthehej pasi te “hapte rrugën” për diskutimet që do të forconin aleancën Kore e Jugut-SHBA.

Ministri i Industrisë Ahn Duk-geun do të marrë pjesë gjithashtu në takimin e përbashkët me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent dhe përfaqësuesin e tregtisë së SHBA-së Jamieson Greer.

“Bisedimet pritet të mbulojnë përjashtimet ose reduktimet e tarifave reciproke, plus detyrimet për makinat dhe çelikun”, tha Ministria e Industrisë në një deklaratë.

Gazeta “Maeil Business” e Koresë së Jugut raportoi se të dy palët mund të diskutojnë për bashkimin e Seulit në përpjekjet e SHBA-së për të frenuar tregtinë me Kinën, pa përmendur një burim të qartë.

Kina akuzoi të hënën Uashingtonin për abuzim me tarifat dhe paralajmëroi vendet kundër arritjes së një marrëveshjeje më të gjerë ekonomike me SHBA-në në kurriz të saj.

Han tha dje se procesi i konsultimit me SHBA-në mund të mos ishte i lehtë.