Ngrirja e fondeve, “Harvard” padit Administratën “Trump”

Universiteti i Harvardit ka ngrijtur padi kundër administratës Trump, duke kundërshtuar ngrirjen e fondeve. Institucioni akuzon qeverinë për ndërhyrje të pajustifikuar në autonominë akademike. Administrata Trump ka deklaruar se Harvardi nuk përmbush kushtet për të përfituar nga fondet federale.

Universiteti i Harvardit ka ngritur një padi federale kundër administratës së presidentit Donald Trump, duke kundërshtuar urdhrin për të ngrirë 2.2 miliardë dollarë fonde federale, vendim që prek edhe institucionin arsimor.

Padia u paraqit të hënën, pas përshkallëzimit të një konflikti mbi kërkesat e qeverisë për të kufizuar programet e diversitetit dhe për të rishikuar politikat akademike të institucionit.

Harvard e cilëson këtë veprim si një përpjekje për të ushtruar presion politik mbi vendimmarrjen e brendshme të universitetit.

Presidenti në detyrë i Harvardit, Alan M. Garber, paralajmëroi për ndikimin e rëndë të ndërhyrjes qeveritare në kërkime të rëndësishme shkencore.

Sipas tij, ngrirja e fondeve prek studime jetike si ato për kancerin pediatrik, sëmundjen e Alzheimerit dhe Parkinsonin.

Në letrën drejtuar komunitetit universitar, Garber theksoi se “pasojat e tejkalimit të qeverisë do të jenë të rënda dhe afatgjata”.

Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë zyrtare, justifikoi vendimin duke kritikuar menaxhimin financiar të Harvardit dhe përfitimet që ai merr nga fondet publike.

Zëdhënësi Harrison Field u shpreh se ndihma federale për universitete si Harvardi, të cilat "pasurojnë burokratët e tyre me taksat e qytetarëve amerikanë në vështirësi", duhet të rishikohet. Ai theksoi se fondet publike janë një privilegj dhe jo një e drejtë.

Përveç financimit, administrata Trump ka kërcënuar edhe me kufizimin e pranimit të studentëve ndërkombëtarë në Harvard, si dhe ka kërkuar auditime të jashtme të kurrikulës dhe politikave të pranimit.

Universiteti i ka refuzuar këto kërkesa në mënyrë të prerë, duke deklaruar se nuk do të lejojë ndërhyrje në pavarësinë e tij akademike dhe nuk do të heqë dorë nga të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Harvard nuk është i vetmi institucion i prekur nga këto masa. Administrata ka pezulluar gjithashtu fondet për universitete të tjera si Cornell, Brown dhe Columbia.

Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Barack Obama, një ish-student i Harvardit, ka dalë në mbështetje të universitetit në këtë përballje ligjore, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së lirisë akademike në institucionet arsimore amerikane.