Gazetarja Kepi sjell zhvillimet nga Vatikani: Ceremonia solemne për Papa Françeskun, në fundjavë. Ja kur do të mblidhet Konklava për zgjedhjen e Papës së ri
Do të jenë Kardinalët ata që do të vendosin këtë të martë se kur do të bëhet varrimi i Papa Françeskut një vendim që do të merret gjatë kongregacionit.
Kështu bën të ditur zyra e shtypit e Vatikanit, duke komentuar zërat se e shtuna është dita më e mundshme për varrimin e Françeskut në Shën Pjetër.
Për të mësuar më shumë mbi zhvillimet që vijnë nga Selia e Shenjtë pas lajmit disi të papritur të ndarjes nga jeta të papa Françeskut në moshën 88-vjeçare ditën e hënë, gazetarja Alba Kepi në një lidhje me skype nga sheshi i Vatikanit në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se e sotmja është një ditë e rëndësishme, pasi pritet që Kongregacioni i kardinalëve të mblidhet dhe të vendosë datën se kur do të mbahet ceremonia solemne e varrimit të papa Françeskut.
“Me shumë gjasë do të jetë një ditë mes të premtes dhe të dielës së kësaj jave. Po ashtu kemi informacion se pas datës 5 maj do të mblidhet edhe Konklava për të zgjedhur papën e ri.
Mendohet se nderimi për Papa Fraçeskun do të jetë tri ditë, më pas ka numër të caktuar ditësh kur lejohet që të mblidhet Konklava dhe jo më shumë se 15 ditë nga dita e vdekjes së Papa Françeskut.
Janë 252 kardinalë që ka Kisha Katolike dhe janë 135 prej tyre që kanë të drejtën e votës. Gjëja interesante është fakti që nga këta 135 kardinalë, 108 prej tyre janë emëruar kardinalë në kohën e Papatit të Papa Françeskut, mes tyre është dhe Kardinali shqiptar Ernest Simoni, por që nuk ka të drejtë vote, pasi e ka kaluar moshën 80-vjeçare.
Gjatë kohës që Papa Françesku ishte i shtruar në spital kanë qarkulluar një sërë emrash për Papën e ri, por eksperienca ka treguar që Konklava pasi të mblidhet voton jo vetëm në bazë të reputacionit të secilit prej kardinalëve, por edhe në bazë të përfaqësimit të Kishës në Kishat e Caktuara.
Kemi Kishën e Afrikës, ku një nga më të mënçurit e saj është nga Kongo, por ashtu kemi Kishën Aziatike, me Kardinalin Filipinas, kemi Kishën Italiane, e cila pretendon se prej kohësh nuk ka pasur një Papë italian, pra gjithmonë është dhe mbetet një surprizë momenti i zgjedhjes së Papës”, u shpreh ndër të tjera nga sheshi i Vatikanit, gazetarja Alba Kepi.
NDIQNI RAPORTIMIN E PLOTË TË GAZETARES ALBA KEPI MBI ZHVILLIMET QË PRITET TË NDODHIN NË SELINË E SHENJTË

