Albulena Haxhiu dështon të zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, seanca ndërpritet për 48 orë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish dështuan të zgjidhnin Albulena Haxhiun nga LVV-ja në postin e kryeparlamentares. Në votimin e dytë, Haxhiu mori 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime. Propozimi nuk kaloi dhe kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu senacën për 48 orë, pra deri të hënën në orën 15:00.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në seancën e sotme për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit. Raporti u miratua nga 119 deputetë, aq sa ishin të pranishëm në sallë.

Kjo u mundësua pasi partitë politike parlamentare ranë dakord për të votuar raportin e komisionit për mandate dhe kuorum.  Kryesuesi i Komisionit, Artan Abrashi paraqiti para deputetëve raportin për verifikimin e mandateve, bazuar në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, përmban edhe listën e 120 deputetëve të rinj.

Pas votimit unanim për raportin e mandatit të deputetëve, deputetët e zgjedhur kanë bërë betimin në Kuvendin e Kosovës. Ata u ngritën të gjithë në këmbë për të lexuar tekstin e betimit.