Gjermanët kufizojnë udhëtimin e tyre në SHBA, shkak arrestimet dhe ndalimet nga autoritetet amerikane

Gjermanët po kufizojnë në mënyrë drastike udhëtimin e tyre në SHBA pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ky vendim vjen edhe pas arrestimit dhe ndalimit të qytetarëve gjermanë nga autoritetet amerikane.

Që prej kthimit të Donald Trump, kërkesa për udhëtime në SHBA është ulur me 15-20% që nga shkurti i kaluar, raporton përfaqësuesi i agjencisë së udhëtimeve Timo Kolenberg në një raport në kanalin e parë të televizionit publik gjerman ARD. Thomas Terbeck i shërbimit të konsulencës Weltweiser flet për një kërkesë në tkurrje për programe të shkëmbimit studentor midis Gjermanisë dhe SHBA-së. Vihet re se kërkesa për udhëtime në Kanada është në rritje.

Ministria e Jashtme gjermane i quan si incidente të izoluara ndalimin e përkohshëm dhe deportimin e mëpasshëm të dy 19-vjeçareve gjermane nga autoritetet amerikane me dyshimin se kishin planifikuar të punonin në vend me vizë turistike, si dhe rastin e një 34-vjeçari gjerman me leje qëndrimi në SHBA, i arrestuar prej katër javësh.

"Ne jemi të shqetësuar, por besojmë se këto janë raste të izoluara. Ne jemi në kontakt me familjet dhe po ofrojmë mbështetje konsullore," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christian Wagner. Megjithatë, për shkak të incidenteve të fundit, faqet e internetit të udhëtimit po këshillojnë gjermanët që planifikojnë të vizitojnë SHBA-në për të fshirë çdo postim në mediat sociale ose histori të bisedave që kritikojnë presidentin amerikan. 

Zëdhënësi i Partisë Demokristiane (CDU) Johannes Vandepoel foli për veprime "të papranueshme" nga ana e SHBA-së dhe theksoi se kjo çështje do të jetë temë e bisedimeve midis qeverisë së ardhshme gjermane dhe homologëve të saj amerikanë.