Rusia këmbëngul në respektimin e interesave të saj mes presionit për t’i dhënë fund luftës

Rusia ka thënë se mbetet e hapur për dialog, ndërsa këmbëngul se interesat e saj duhet të respektohen – mes presionit në rritje nga SHBA-ja për të rënë dakord për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha sot se ishte bërë njëfarë përparimi në lidhje me çështjen e ndërlikuar, por një numër negociatash të vështira janë ende përpara.

“Rusia po përpiqet të zgjidhë këtë konflikt, të mbrojë interesat e veta dhe është e gatshme për dialog”, tha ai.

Deklarata e tij vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump tha dje se pret një përgjigje nga Rusia në lidhje me një marrëveshje të mundshme paqeje me Ukrainën, këtë javë.

Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se Uashingtoni do të braktiste përpjekjet për të siguruar një armëpushim gjithëpërfshirës në Ukrainë nëse nuk kishte një progres domethënës brenda “disa ditësh”.

Peskov përmendi moratoriumin 30-ditor mbi sulmet në infrastrukturën energjetike si një shenjë përparimi në rrugën drejt paqes, edhe pse ai pretendoi se vetëm Rusia, por jo Ukraina, i ishte përmbajtur marrëveshjes.

Zëdhënësi i Kremlinit konfirmoi se afati i moratoriumit kishte përfunduar dje, duke shtuar se deri më tani presidenti rus Vladimir Putin nuk kishte dhënë asnjë urdhër për zgjerimin e tij.

Peskov kritikoi gjithashtu SHBA-në për mbajtjen e bisedimeve me përfaqësuesit ukrainas dhe evropianë në Paris, një ditë më parë.

“Ne nuk kemi dëgjuar asnjë thirrje për paqe nga evropianët kohët e fundit. Përkundrazi, ka pasur thirrje për militarizimin e mëtejshëm të Evropës, për shembull Ukrainën”, tha zëdhënësi i Kremlinit.