Nuk do të jetojë kurrë në SHBA! Shtëpia e Bardhë refuzon rikthimin e të dëbuarit gabimisht në El Salvador
Shtëpia e Bardhë, thotë se emigrant i dëbuar si anëtar bandash në El Salvador nuk do të lejohet kurrë të jetojë në SHBA, pavarësisht se largimi i tij është pranuar si gabim administrativ. Çështja ka ndezur një betejë ligjore dhe politike mes administratës Trump dhe gjyqësorit për politikat e emigracionit.
Shtëpia e Bardhë refuzon kategorikisht rikthimin për të qëndruar në SHBA të Kilmar Ábrego García edhe pse zyrtarët amerikanë kanë pranuar se ai është dëbuar gabimisht muajin e kaluar drejt një mega-burgu në El Salvador, mes qindra anëtarëve të dyshuar të bandave famëkeqe kriminale që veprojnë në Amerikë.
Zëdhënësja Karoline Leavitt, përsëriti pretendimin se i riu nga El Salvadori ishte anëtar i bandës MS-13, gjë që mohohet nga avokati i 29 vjeccarit, ndërsa ccështja e tij është shndërruar në një beteje ligjore dhe politike në SHBA.
“Nëse ai kthehet ndonjëherë në SHBA, do të dëbohet menjëherë sërish. Ai nuk do të jetojë kurrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Ajo e quajti gjithashtu të riun “rrahës grash”, duke iu referuar një padie për dhunë në familje duke cituar dokumente që tregojnë se gruaja e tij, qytetare amerikane, kishte kërkuar një urdhër mbrojtjeje kundër tij.
Bashkëshortja e 29 vjeccarit në anën tjetër tha të mërkurën se e kishte kërkuar urdhrin “për kujdes”, por shtoi se kishin arritur ta zgjidhnin situatën si familje, përmes këshillimit.
Një gjykatës në Maryland ka urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump që ta rikthejë Ábrego Garcían në SHBA, por presidenti i El Salvadorit, gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë këtë javë, tha se ai "nuk ka fuqinë" ta kthejë atë.
Zyrtarët e administratës kanë pranuar se dëbimi ishte një “gabim administrativ”, por Shtëpia e Bardhë këmbëngul se nuk ka asnjë të gabuar në dëbimin e 29 vjeccarit.
Ndërkohë, një senator demokrat i Maryland-it, udhëtoi në El Salvador për të takuar Ábrego Garcían, por iu mohua hyrja në burgun ku po mbahen të larguarit nga SHBA.
Debati për të riun e dëbuar gabimisht, po ndodh mes një përballjeje gjithnjë e më të fortë mes presidentit dhe gjyqësorit lidhur me politikat e kreut të Shtëpisë së Bardhë kundër emigracionit të paligjshëm

