Kolumbia në alarm shëndetësor pas një shpërthimi të etheve të verdha

Kolumbia ka shpallur gjendje te emergjencës shëndetësore në shkallë kombëtare, pas një shpërthimi të etheve të verdha që ka shkaktuar vdekjen e të paktën 34 personave.

Ethet e verdha transmetohen nga pickimi i mushkonjave të infektuara dhe janë të vështira për t’u diagnostikuar, pasi simptomat e fazës së parë mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë, tha se janë 74 raste, të konfirmuara, ndërsa vdekshmëria nga sëmundja është rreth 50 %, cka ngre alarm.

Shumica e rasteve janë përqendruar në lindje të provincës Tolima, një zonë turistike e njohur për prodhimin e kafesë.

Ministri i Shëndetësisë, theksoi se vaksina kundër etheve të verdha është falas dhe ofron mbrojtje të përjetshme në shumicën e rasteve.

Qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen para fundjavës së Pashkëve, veçanërisht ata që udhëtojnë drejt zonave më të ngrohta ku rreziku i përhapjes së sëmundjes është më i lartë. Personave që vizitojnë këto zona do t’u kërkohet të paraqesin dëshmi të vaksinimit.

Presidenti Gustavo Petro, përmes një postimi në rrjetet sociale, paralajmëroi qytetarët të mos udhëtojnë drejt rajoneve me rrezik të lartë nëse nuk janë vaksinuar, duke përmendur veçanërisht "zonën e kafesë" si një zonë të ndjeshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bere te ditur se rreth 15% e pacientëve hyjnë në një fazë të dytë më të rëndë, ku gjysma e tyre humbin jetën brenda 10 deri në 14 ditë.

Autoritetet shëndetësore kolumbiane po vijojnë fushatën për ndërgjegjësim dhe vaksinim masiv, në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të mbrojtur popullatën në prag të një prej periudhave më aktive të udhëtimeve në vend.