"12 Burra të Zemëruar"/ Minga: Vepër që 'thyen' dimensionet kohore dhe përcjell mesazhe të fuqishme

"12 burra të zemëruar", një libër dhe film i jashtëzakonshëm.

Shumë vënie në skenën botërore dhe më në fund kjo vepër vjen edhe në shqip në Teatrin Kombëtar falë regjisorit Albert Minga, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News".

"Zgjedhja e kësaj vepre prej meje nuk është bërë për ekzotizëm por për mesazhet që ajo përcjell dhe kjo ndodh vetëm me veprat e mëdhaja. 

Veprat e mëdhaja gjithmonë janë të tilla sepse i thyejnë dimensionet kohore dhe të magjepsin me mesazhet që transmetojnë.

"12 burra të zemëruar" është një proces gjyqësor që bëhet nga gjyqtarë 'jo profesionist', me siguri e dini sesi funksionon sistemi i drejtësisë në Amerikë.

Pasi kryhet procesi hetimor nga profesionistë të vërtetë të fushës, 12 anëtarë nga juria popullore të cilët zgjidhen në mënyrë arbitrare me formacione të ndryshme shoqërore, me formim të ndryshëm kulturor atyre u asistojnë në këtë proces gjyqësor në hetim dhe marrin të gjitha  materialet e nevojshme për të diskutuar dhe për të dhënë vendimin e tyre për një rast të caktuar", u shpreh Minga.