Presidentja Osmani kërkon që seanca konstituive të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.

“Ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituiv ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në letrën e Osmanit drejtuar kryesuesit e seancës konstituive, Avni Dehari.

Osmani tha se është e gatshme të takohet me Deharin dhe me kryetarët e partive politike parlamentare, për të biseduar për rrugën përpara, nëse ato e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.

Deputetët e zgjedhur nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Në ndërprerje të seancës, kryesuesi Dehari njoftoi se po i drejtohej presidentes Osmani, për të sqaruar se si të veprohej më tutje.

Presidenca e Kosovës ka konfirmuar sot se ka pranuar letër nga Avni Dehari lidhur me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë./REL