Tanket gjermane Leopard 2 dështojnë në fushëbetejë në Ukrainë
Tanket e çmuara Leopard 2 të Gjermanisë po dështojnë në fushëbetejë në Ukrainë, sipas një vlerësimi të bërë nga ministria e saj e mbrojtjes.
Në një transkript të klasifikuar të një takimi midis një atasheu gjerman të mbrojtjes të vendosur në Kiev dhe rreth 200 ushtarëve të Bundeswehr-it, diplomati zbuloi vështirësitë me të cilat po përballen ukrainasit në përdorimin e këtyre mjeteve të rënda luftarake.
18 nga tanket Leopard 2, që përbëjnë shtyllën kurrizore të Bundeswehr-it, mbërritën në Ukrainë në vitin 2023, pas muajsh hezitimi nga kancelari Olaf Scholz dhe një debat të gjerë publik në Gjermani për çështjen nëse Berlini duhej të dërgonte armë të rënda në Ukrainë.
Zoti Scholz përfundimisht ra dakord ta bënte këtë pasi administrata Biden pranoi të dërgonte tanke Abrams dhe opinioni publik në Gjermani filloi të ndryshojë në favor të Ukrainës.
Por, pavarësisht bujës që shkaktoi kjo lëvizje, sipas transkriptit të siguruar nga tre media gjermane, ushtarët ukrainas po zbulojnë se Leopard 2 ka përdorim të kufizuar.
Disa nga problemet kanë të bëjnë me mënyrën sesi po ndryshon vetë lufta.
Në transkript thuhet se Leopard 2, si të gjithë tanket në përgjithësi, janë të ndjeshëm ndaj sulmeve me dronë.
Megjithatë, dizajni i ndërlikuar i Leopard 2 e bën të vështirë riparimin e tij në fushëbetejë, që do të thotë se tanket e dëmtuara duhet të dërgohen te skuadra të specializuara riparimi në Ukrainën perëndimore, ose madje të transportohen deri në Poloni për t’u riparuar dhe mirëmbajtur.
Në shumë raste, problemet me Leopard 2 e kanë detyruar ushtrinë ukrainase t’i përdorë ato kryesisht si artileri të kamufluar.
“Problemi kryesor me Leopard 2 që iu dhanë Ukrainës është se ka shumë pak prej tyre.
Nëse një apo dy duhet të riparohen, atëherë një pjesë e madhe e asaj që ka Ukraina bie nga funksioni për një kohë,” tha Sergej Sumlenny, drejtor ekzekutiv i Qendrës Europiane për Iniciativën e Qëndresës me qendër në Berlin.
Ai ka bërë thuajse vizita mujore në vijën e frontit që nga viti 2022. Ai shtoi: “Leopard 2 gjithashtu nuk u projektuan për fushëbetejën ukrainase.
Ato funksionojnë mirë kur kanë mbështetje të mirë ajrore, por Ukraina ka mungesë në këtë aspekt.”
Zoti Sumlenny tha se edhe mënyra e të menduarit pasluftës në Gjermani luan një rol.
“Ato u dizajnuan nga një brez prodhuesish gjermanë që nuk kishin parë luftë, dhe kështu priren ta komplikonin tepër sistemin.
“Sistemet më të vjetra, të dizajnuara në vitet 1960 nga ata që kishin përjetuar luftën, janë shumë më të dobishme në fushëbetejë, por kanë armaturë më të dobët.”
Ekspertët e mbrojtjes në Gjermani thonë se përvoja e Ukrainës në fushëbetejë përmban mësime të qarta për prokurimet e ardhshme të vendit, veçanërisht nëse Rusia zgjedh të vërë në provë NATO-n.
Zëdhënësja për mbrojtjen e Partisë së Gjelbër në Gjermani, Sara Nanni, tha se një mësim i qartë është se vendit thjesht i duhet të ketë më shumë sisteme të disponueshme.
“Nuk mund të mendojmë më në sasi kaq të vogla. Duhet të supozojmë se mjetet kanë kohë të gjatë jashtë funksioni pas dëmtimit dhe thjesht kanë nevojë për mirëmbajtje.”
Gjermania është furnizuesi i dytë më i madh i pajisjeve ushtarake për Ukrainën pas SHBA-së, me transkriptin e rrjedhur që identifikon edhe probleme të tjera me sistemet e furnizuara nga Gjermania, duke vënë në dukje se edhe pajisjet që funksionojnë mirë, si ato të mbrojtjes ajrore, vuajnë nga mungesa e stokut të municioneve.
