Vendimi i Engert Pëllumbit përcaktoi një standard

Vendimi i gjyqtarit të Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi vendosi një standard të panjohur më parë, ndoshta edhe për shkak të rrethanave të dala në dritë në rastin “Veliaj”.

Gjyqtari Pëllumbi i bëri të qartë klasës politike se çdo ndërmarrje për të denigruar, fyer, shantazhuar e kërcënuar gjyqtarë e prokurorë do të përkthehet si rrezik real për marrjen e provës dhe do të sjellë si pasojë qëndrimin në burg të të dyshuarve.

Gjyqtari Pëllumbi bëri atë që gjithë këto vite nuk e kishte bërë as KLGJ, as KLP dhe asnjë aktor tjetër në republikën shqiptare. Debati bëhet vetëm në sallën e gjyqit dhe çdo devijim tjetër në publik, veçanërisht duke zbatuar strategji sulmesh, shantazhesh, fyerjesh etj., ndaj figurave të drejtësisë, do gjejë vetëm një përgjigje dhe ajo bazohet në ligj.

Ai vendim duhet lexuar për të kuptuar çfarë nuk duhet bërë kur ndodhesh në kushte paraburgimi, veçanërisht në drejtim të shfrytëzimit të një pjese të mediave, të cilat të vetmin kontribut që dhanë ishte rendimi i pozitës së atyre që ishin paguar të mbronin.

Vendimi është një parashtrim i qartë dhe për gjykatën e Strasburgut nesër (nëse do guxojnë të shkojnë aty), e cila për herë të parë do shohë zyrtarin e lartë primitiv ballkanik duke vepruar kundër drejtësisë së vendit të tij,  nëpërmjet urdhrave të dhënë për mediat dhe portalet anonime më agresive, me deficencë të theksuar në profesionalizëm dhe të paguara drejtpërdrejt nga vetë zyrtari i paraburgosur./ CNA.al