VIDEO/ Zj*rr në një magazinë në Pogradec, shpëton pa lëndime një person i pastrehë

Një zjarr është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Pogradecit, ku një magazinë e vogël është përfshirë nga flakët në lagjen numër 4. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa nga ambientet e magazinës është nxjerrë në kohë një person i pastrehë që rrinte aty.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimi zjarrfikës ka mbërritur në vendngjarje dhe ka bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre drejt objekteve të tjera përreth.



Magazina ndodhej në një oborr banese, shumë pranë ndërtesave të tjera, çka e rriti rrezikun për përhapje të shpejtë të flakëve. Falë reagimit të shpejtë të forcave zjarrfikëse, situata u vu nën kontroll në një kohë të shkurtër dhe u shmang një tragjedi e mundshme.

Në vendngjarje ndodhet aktualisht grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Deri më tani, nuk ka ende një deklaratë zyrtare mbi origjinën e flakëve, por dyshohet për ndonjë shkëndijë elektrike ose përdorim të pasigurt të ndonjë mjeti ngrohës.