‘Nëse SHBA dhe Izraeli kërkojnë përshkallëzim’/ Jemeni: Ne jemi gati

Forcat e Armatosura të Jemenit kanë kryer një sulm me dron kundër një qendre ushtarake izraelite pranë Tel Avivit dhe kanë rrëzuar një dron "amerikano-izraelit", në provincën Sa'ada që ndodhet në Jemenin verior. 

Në një deklaratë të premten vonë, ushtria jemenase tha se forcat e saj kishin kryer një operacion ushtarak kundër një lokacioni ushtarak izraelit në zonën e pushtuar të Yafa (Tel Aviv), duke përdorur një dron.

Deklarata tha se mbrojtja ajrore e kombit arab gjithashtu arriti të rrëzojë një dron zbulues Giant Shark F360 “të operuar nga armiku amerikano-izraelit, ndërsa kryente misione armiqësore në hapësirën ajrore të Guvernatorit Sa'ada”.

“Forcat e Armatosura ripërsërisin angazhimin e tyre për të vazhduar përmbushjen e detyrave të tyre ndaj popullit të shtypur palestinez, derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet rrethimi i vendosur mbi popullin palestinez në Rripin e Gazës”, shtoi ai.

Ndërkohë, një anëtar i byrosë politike të lëvizjes së rezistencës Ansarullah paralajmëroi të premten se gjërat po shkojnë drejt përshkallëzimit, për shkak të agresionit të regjimit izraelit ndaj Gazës dhe mobilizimit amerikan në rajon.

"Ne nuk kemi nevojë të negociojmë me Amerikën, drejtpërdrejt ose tërthorazi.

Operacionet tona ushtarake do të ndalen vetëm kur të zbatohet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës izraelite në Gaza", tha Mohammed Al-Bukhaiti për rrjetin e lajmeve Al Jazeera.

Ai më tej paralajmëroi se nëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kërkojnë përshkallëzim, "ne jemi gati".

"Ne do t'i shkaktojmë humbje të rënda okupimit, si ushtarakisht ashtu edhe ekonomikisht, dhe operacionet tona janë një mjet pazari në duart e negociatorëve palestinezë," tha ai.

Bukhaiti tha se Forcat e Armatosura të Jemenit do të ndalojnë operacionet e tyre, sa herë që të zbatohet një marrëveshje armëpushimi në Gaza.

“Kushdo që dëshiron qetësi në rajon duhet të negociojë me Gazën, jo me Jemenin”, tha ai.