Hyjnë në fuqi çmimet e reja të pullave fiskale për mallrat e akcizës
Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi “Për përcaktimin e elementeve të sigurisë dhe çmimit të pullave fiskale” që hyn menjëherë në fuqi.
Sipas këtij vendimi, çmimi i pullës fiskale për birrat do të jetë 17.22 euro, i duhanit 15.65 euro dhe për alkoolin tarifa e pullës fiskale do të jetë 25.05 euro. Ndërsa për verën tarifa për 1 mijë pulla fiskale do të jetë 25.04 euro.
Vendimi përcakton edhe elementet e sigurisë për gjurmimin e pullave fiskale përfshirë sfondet e sigurta me modele Guilloche, tekst të imët dhe efekte me ndryshim ngjyre.
Për karakteristikat e sigurisë digjitale do të përfshihen elementë si: a) identifikuesi unik: çdo pullë fiskale përmban një identifikues shumë të sigurt dhe të koduar për sistemin e gjurmimit; b) Kodet 2D: përfshijnë kode 2D të dukshme dhe të padukshme, të cilat përdoren për monitorimin e lëvizjes së produkteve dhe sigurimin e integritetit. C) Kode të sigurta për industrinë e pijeve të ftohta: Alternativë ndaj pullave të sigurisë: kod unik 2D, i printuar gjatë procesit të prodhimit; b) Karakteristika të tjera: rezistente ndaj ndërhyrjeve nga sfondi dhe të verifikueshme nga konsumatorët dhe autoritetet përkatëse.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Financave shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë” sh.a.,Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe shoqëria aksionare shtetёrore “Albtrace Co.”sh.a.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Qeveria shqiptare vendosi të mos e rinovojë kontratën koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale.
Që prej 1 janarit të këtij viti, pulla fiskale si letër me vlerë është monopol shtetëror dhe do të prodhohet dhe shpërndahet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

