Rama për pagesat elektronike: Jemi optimistë për të ardhmen, pas ‘Mastercard’ presim të vijë edhe 'VISA'

Kryeministri Edi Rama, në eventin e çeljes së Programin për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike, në partneritet me Mastercard Europe u shpreh optimistë për të ardhmen në këtë fushë, pak pasi nënvizoi edhe shqetësimin për nivelin e lartë të pagesave cash, raport që sipas tij duhet të ndryshonte.

Rama vuri në dukje se pas mbërritjes së “Mastercard” në Shqipëri, tani është radha edhe e VISA, shërbim që sipas kreut të qeverisë, shumë vite më parë refuzoi Shqipërinë sepse “nuk ishte interesante”.

Rama: Për ne është shumë e rëndësishme që Mastercard hyn në Shqipëri, si rezultat i faktit që sot e gjen tregun shqiptar të gatshëm për të adaptuar veten me produktin e mastercard.

Nga ana tjetër, është shumë e mirëprituar ardhja e mastercard, sepse është koha që revolucioni ynë digjital të thellohet shumë me tepër edhe në drejtim të thjeshtimit dhe përmirësimit të pagesave në vend.

Kemi të dhëna shumë të frikshme negativisht përsa i përket përdorimit masiv të cash, ndërkohë që e dhëna pozitive është se kur ne kemi marrë detyrën, kanë qenë rreth 30% e qytetarëve me llogari bankare, sot ka shkuar në 80%.

Kemi një masë kritike që mund ta angazhojmë në këtë proces.

Mastercard na ka nxjerrë herë pas here me shkëlqim në klasifikimet e tij për vendet më të frekuentuara turistike.

Shqipëria në turizëm është sot në maj, si vendi me rritjen më të lartë në turizëm mes një grushti vendesh.

Nga ana tjetër konstatojmë se rritja e të ardhurave nga turizmi ka shkuar në 5 miliardë, mirëpo vetëm 4% e transaksioneve bëhen me kartë krediti, dhe kjo tregon sa i madh është boshllëku dhe sa shumë para të cilat nuk i takojnë atyre që i mbajnë, duhet tu shkojnë mbrapsht qytetarëve, gjë për të cilën ne besojmë se digjitalizimi i pagesave është instrument themelor.

Sot është një ditë shumë e mirë për ne, për tregun, për bankat. Bankat janë i vetmi biznes në planet, që nëse nuk i ecën mirë ndonjë gjë, ia rrasin klientëve. Qeveria nuk e bën kurrë këtë punë.

Jemi optimist për të ardhmen sepse fuqia jonë është individi shqiptar.

Dhe shqiptarët kanë nevojë për më shumë dhe kjo na bën optimistë për të realizuar.

Ta mbështesim këtë proces në mënyrë aktive.

Është e rëndësishme për ne. Shpresoj se pas ardhjes së Mastercard, presim të vijë edhe Visa.

Presim të vijë, se kur i thonim dikur hajdeni, na thoshin nuk është Shqipëria interesante. Kështu që tani që Shqipëria u bë interesante edhe me ardhjen e Mastercard, do vijë edhe Visa.

I uroj shumë suksese edhe bankave, pasi ato kanë nevojë për suksesin.