Projekti Starline: Plani ambicioz për një rrjet hekurudhor të shpejtësisë së lartë që lidh mbarë Evropën

Një institut me bazë në Kopenhagë ka zbuluar një plan ambicioz për një rrjet të ri hekurudhor pan-evropian të shpejtësisë së lartë, i quajtur Starline, i cili synon të lidhë 39 destinacione në të gjithë kontinentin – duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Ukrainën.

Projekti, i propozuar nga 21st Europe, synon të revolucionarizojë udhëtimin hekurudhor duke krijuar një sistem të integruar të ngjashëm me një metro kontinentale.

Një sistem transporti i shpejtë dhe i aksesueshëm

Rrjeti Starline do të shtrihet në 22,000 kilometra dhe do të operojë me trenat e shpejtësisë së lartë, të cilët do të udhëtojnë me 300-400 km/h, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit midis kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore.

Për shembull, një udhëtim nga Helsinki në Berlin do të zgjasë vetëm pesë orë, në vend të një dite të plotë.

Po ashtu, lidhje të tjera si Kiev-Berlin dhe Milano-Mynih do të bëhen më të shpejta dhe më të aksesueshme.

Një përvojë e re për pasagjerët

Në vend të ndarjes tradicionale në klasa, trenat Starline do të kenë hapësira të përshtatura për nevoja të ndryshme, si zona të qeta për punë dhe ambiente miqësore për familjet.

Ngjyra e tyre e veçantë blu e errët do t’i bëjë lehtësisht të dallueshëm, ndërsa stacionet e reja, të vendosura pranë qyteteve të mëdha, do të jenë qendra të reja kulturore me dyqane, restorante, muze dhe hapësira për evente.

Një hap i madh drejt objektivave klimatikë

Projekti synon të jetë një alternativë e qëndrueshme ndaj udhëtimeve ajrore me distanca të shkurtra, të cilat janë një nga burimet kryesore të ndotjes së karbonit.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, transporti kontribuon me 29% të emetimeve totale të gazeve serrë në BE.

Me hekurudhat e shpejtësisë së lartë që prodhojnë 90% më pak CO2 se fluturimet, Starline mund të ndihmojë në përmbushjen e objektivave të Evropës për neutralitet klimatik deri në vitin 2050.

Financimi dhe implementimi

Projekti parashikon një model financimi publik dhe operim nga kompani hekurudhore kombëtare, të mbikëqyrura nga një Autoritet i ri Evropian Hekurudhor (ERA).

Për ta bërë realitet, do të nevojiten standarde të përbashkëta teknike dhe rregullore të harmonizuara, si dhe trajnime të unifikuara për personelin.

Synimi: Starline funksional deri në vitin 2040

Megjithëse plani është ambicioz, think tank-u 21st Europe beson se realizimi i tij është i mundur brenda 15 viteve të ardhshme.

“Tani është koha për të ndërtuar këtë rrjet dhe për të sjellë ndryshimin e vërtetë,” thekson grupi, duke i bërë thirrje politikëbërësve dhe industrisë që të bashkëpunojnë për ta kthyer këtë vizion në realitet.