VIDEO/ Internacionalja Socialiste mblidhet në Tiranë, Sánchez: Të formëzojmë të ardhmen digjitale!

Kryetari i Internacionales Socialiste, kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, u shpreh se, “algoritmet që nxisin radikalizimin dhe gjuhën e urrejtjes në internet nuk janë probleme të izoluara, por probleme të mëdha që kërkojnë përgjigje të bashkërenduara”.

Përmes një video mesazhi ku përshëndeti punimet e Komitetit të Politikës së Jashtme të Internacionales Socialiste mbajtur sot në Tiranë, Sánchez shprehu keqardhje që nuk pati mundësi të ishte i pranishëm në Shqipëri, teksa falenderoi kryeministrin Edi Rama për praninë e tij dhe Partinë Socialiste për mikpritjen dhe diskutimin thelbësor të çështjeve.

“Po përballemi me një transformim të pashembullt digjital, IA, meda sociale dhe teknologjia që po riformësojnë botën ku ne diskutojmë demokracinë. Bota digjitale nuk njeh kufij.  Fushatat e dizinformimit që nisin në një vend mund të ndikojnë zgjedhjet dhe debatin publik në një vend tjetër, algoritmet që nxisin radikalizimin dhe gjuhën e urrejtjes në internet nuk janë probleme të izoluara, por probleme të mëdha që kërkojnë përgjigje të bashkërenduara”, tha Sánchez.

E djathta ekstreme, vijoi ai, ka treguar se është mjaft e fortë dhe e integruar në përdorimin e instrumenteve digjitale për të shpërndarë dizinformim për të bërë përpjekje për të minuar institucionet, ndaj duhet të mbetemi aktiv për t’u siguruar që teknologjia t’i shërbejë demokracisë.

Sipas tij, ndërkohë Internacionalja Socialiste është në pozitën e duhur për të ndërmarrë këtë përpjekje.

“Solidariteti ynë kufitar është pika jonë më e fortë dhe duhet t’i kthejmë idetë në veprime dhe të ndërmarrim politika në shërbim të saj, ndaj mezi presim rezultatet e këtij takimi për të punuar me ju në të ardhmen”, u shpreh Sánchez.

“Le të vazhdojmë të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit për të formëzuar të ardhmen digjitale që mbështet demokracinë dhe barazinë sociale për të gjithë”, tha ai.