Hakan Calhanoglu fton Arda Guler tek Interi: Do doja që të vinte
Hakan Calhanoglu e ka lavdëruar dhe madje joshur talentin e Real Madridit, Arda Guler. Prej javësh përflitet për një interesim të mundshëm të Interit për mesfushorin turk dhe tani vjen konfirmimi i drejtpërdrejtë nga kapiteni i kombëtares së Turqisë.
Pas fitores 3-1 ndaj Hungarisë, Calhanoglu foli në konferencë për shokun e tij të skuadrës, duke theksuar se do të donte ta kishte në Milano: “Arda është një lojtar shumë i rëndësishëm, vëllai im i vogël. E dua shumë dhe të gjithë e dinë këtë. Sigurisht që do të më pëlqente të luanim bashkë tek Interi.
Në fund të fundit, të gjithë duan lojtarë të cilësisë së tij. Nuk e di situatën e tij te Real Madridi dhe nuk dua të përzihem, por mendoj se ai duhet të luajë më shumë, e meriton. Shpresoj që të vijë tek ne, por nuk e di nëse thashethemet janë të vërteta”.
Arda Guler ka një kontratë me Real Madridin deri në vitin 2029, por konkurrenca e fortë në ekipin e Ancelottit ka bërë që ai të ketë vetëm 9 ndeshje si titullar këtë sezon, në 30 paraqitjet e tij totale. Deri më tani ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 5 asiste, shifra që kanë nxitur spekulimet për një largim të mundshëm në verë, me qëllimin për të luajtur më shumë.
Calhanoglu foli edhe për ndeshjen kundër Hungarisë: “Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jemi shumë të lumtur që u rikthyem të luajmë në Stamboll, pas kaq shumë kohësh. Stadiumi ishte plot dhe tifozët na mbështetën.
Kjo fitore është dhurata jonë për ta. Ia dolëm, fituam 3-1, një rezultat i mirë, por ende nuk ka përfunduar. Ndeshja tjetër është po aq e rëndësishme, pasi do të luajmë sërish kundër tyre, pas tri ditësh. Tani duhet të pushojmë dhe të përgatitemi siç duhet”.


