PREMTIMI/ Berisha firmos para banorëve të njësisë 8: Nuk do të ketë urbanizim përpara legalizimit
Kryedemokrati Sali Berisha ka firmosur para banorëve të njësisë 8 në kryeqytet aktin ku zotohet se nuk do të ketë urbanizim përpara legalizimit.
"Të dashur miq, të dashur drejtues dhe kandidatë të PD. Së pari u përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që u takoj sot për të diskutuar me ju çështje thelbësore të programit tonë për qytetarët shqiptarë.
Xhonatani erdhi dje në zyrë dhe më paraqiti këtë dokument të hartuar bashkë me ju për t’i dhënë përgjigje një prej problemeve më të rëndësishme që ju keni dhe zvarritet në kalendar për shkak të burokracisë, korrupsionit dhe faktorëve të tjerë.
E lexova, i thashë që unë e firmos që tani këtë. I thashë do shkojmë ne atje dhe do i takojmë dhe do e firmosim në prani të tillë. E kam shprehur edhe në takime të tjera, të gjithë ata që kanë marrë dokumentet me të cilat kjo qeveri e mban peng dokumentin përfundimtar të legalizimit dhe legalizimi do shpallet pa asnjë akt, pa asnjë pagesë. Së pari.
Së dyti, garantoj pronarët e tokës së zënë se ata do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria. Po, ne do bëjmë të drejtën siç është për t’u bërë.
Së treti, nuk do ketë urbanizim para legalizimit. Do ketë legalizim para urbanizimit. Se këta me këtë punë e bllokuan procesin. Ne do e legalizojmë dhe pastaj askush nuk e pengon rrugën aty ku duhet të kalojë.
Ne ndërtuam 11.300 kilometra rrugë dhe në mënyrë absolute kemi pasur vetëm një protestë te Shkolla Teknologjike. I thashë ministrit që do shpronësohen me tarifa tregu. U ul me ta dhe protesta u ndërpre.
E treta, qesharake bonuset për qiratë. I prish shtëpinë, e vendos në një ndërtesë dhe u jep gjysmën e qirasë. Do e paguash të plotë qiranë me çmim tregu.
Në qoftë se veprohet në këtë mënyrë qytetarët kanë besim tek qeveria dhe ligji. Në radhë të parë kanë besim tek e drejta që këta nuk dhunohen në mënyrë të padrejtë. Unë u garantoj ju se këto pika të përcaktuara bashkërisht, këto firmosen këtu para jush nga Sali Berisha dhe do të jetë një nga aktet e para të qeverisë.
Pra, merr dokument një zotim solemn që do shndërrohet në ligj dhe vendim qeverie në 90 ditët e para. Dhe garantoj shqiptarët që kanë probleme me legalizimet që ky rregull do jetë kudo në Shqipëri.
Nuk mund të vendosësh rregull në qoftë se nuk përligj, nuk zgjidh problemin e legalizimit. Zgjidhja e problemit të legalizimit duke këputur Nyjen Gordiane, sepse kur gjërat janë të komplikuara, nyja pritet dhe ne i japim përgjigjen më të mirë këtij problemi të krijuar.
I cili, e vërteta është se ka sigurisht ndonjë problem të caktuar, që duhet zgjidhur, por ka anë të jashtëzakonshme pozitive. Sepse në këtë proces janë krijuar qytete të tëra dhe ata, të cilët flasin si me përçmim, atyre u them se në rrugën e zhvillimit dhe të qytetërimit të kombeve, urbanizimi, dmth kalimi nga zonat rurale në qytete, është një nga treguesit më themelorë të një shoqërie.
Ndaj nuk kanë pse e shohin me kaq dhimbje koke problemin e të ardhurve, që vijnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët dhe kontribuojnë shumë në zhvillimin e komuniteteve aty ku shkojnë.", deklaroi Berisha.


