Bilanci tragjik i prishjes së armëpushimit, 322 të vrarë dhe të zhdukur në sulmet e Izraelit në 5 orët e fundit

Të paktën 322 persona u vranë apo u zhdukën nga sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës në pesë orët e fundit, pas shkeljes së armëpushimit.

Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e Qeverisë në Gaza thuhet se Izraeli vazhdon të kryejë gjenocid ndaj civilëve, duke shpërfillur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe humanitare.

Në deklaratë theksohet se numri i personave të vrarë dhe të zhdukur në sulmet që Izraeli ka kryer gjatë pesë orëve në Gaza arrin në 322 dhe se janë plagosur dhjetëra njerëz.

Thuhet se disa nga të vrarët dhe të plagosurit janë dërguar në spitale, ndërsa shumica e tyre nuk kanë mundur të dërgohen në spitale për shkak të kushteve të këqija humanitare në rajon dhe mungesës së karburantit që paralizoi transportin në të gjitha qytetet dhe se shumica e viktimave dhe të zhdukurve janë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Ushtria izraelite njoftoi se ndaj Gazës kanë rifilluar sulmet në shkallë të gjerë në përputhje me udhëzimet e nivelit politik.

Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet janë nisur me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz.