Papa Françesku po përmirësohet! Vatikani shpërndan foton e parë nga spitali ku qëndron prej 14 Shkurtit: “Po kaloj një periudhë “prove”

Vatikani publikoi foton e parë të Papa Françeskut që prej shtrimit të tij në spital për pneumoni, ku ai shihet në karrocë pranë një altari. Kreu 88 vjecar i Kishës Katolike vijon trajtimin mjekësor, ndërsa ka falënderuar besimtarët për lutjet dhe ka bërë thirrje për paqe në vendet e prekura nga lufta.

Kjo është fotografia e parë e Papa Franceskut që nga shtrimi i tij në spital një muaj më parë.

Kreu i Kishës Katolike është fiksuar i në karrocë para një altari në spitalit Gemelli në Romë, ku po trajtohet për pneumoni të dyfishtë.

Papa 88 vjeçar, nuk ishte parë në publik që prej shtrimit në spital më 14 shkurt, dhe deri tani nuk ishte publikuar asnjë imazh i tij.

Më herët këtë muaj, një regjistrim zanor i Papa Françeskut në spanjisht u transmetua në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ai falënderoi besimtarët për lutjet, megjithëse zëri i tij dukej i lodhur dhe pa fuqi.

Që prej shtrimit në spital, Papa është trajtuar për pneumoni të dyfishtë dhe infeksione të tjera, si dhe ka kaluar disa kriza të frymëmarrjes, që kanë ngritur shqetësime për shëndetin dhe jetën e tij.

Vatikani ndërkohë njoftoi se një radiografi e fundit ka treguar "përmirësime"  por shtohet se AI shenjte  ka ende nevojë për trajtim spitalor.

"Ati i Shenjtë vijon të ketë nevojë për terapi mjekësore, fizioterapi motorike dhe të frymëmarrjes," thuhej në një deklaratë të Vatikanit, që më tej thotë  se "ka përmirësime të mëtejshme, të ngadalta".

"Bashkohem me të gjithë vëllezërit dhe motrat që janë të sëmurë: të brishtë, si unë në këtë moment," u shpreh Papa në deklaratën e tij të fundit.

Më herët të dielën, në një mesazh të shkruar, teksa shënoi 5 javë që nuk shfaqet fizikisht në Dritaren mbi Sheshin Shën Pjetër Papa u shpreh se po kalon një "periudhë prove", duke falënderuar të gjithë ata që luten për të dhe duke lutur për paqe në "vende te plagosura nga lufta". 

Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio, është Papa i parë nga Amerika. Ai ka pasur probleme të hershme me mushkëritë, pasi në rini kaloi pleurizi dhe iu hoq një pjesë e mushkërisë, gjë që e bën edhe më të ndjeshëm ndaj pneumonisë.

Për shkak të shëndetit të tij të brishtë ka pasur spekulime se ai mund të ndjekë shembullin e paraardhësit Benedikti XVI dhe të japë dorëheqjen.

Por miqtë dhe biografët pranë Papës thonë se nuk ka asnjë plan për të hequr dorë, dhe se ai vazhdon të punojë nga spitali.

Ky vit është një Vit i Shenjtë Katolik, ku priten 32 milionë pelegrinë të vizitojnë Romën.