Sfiduan kufijtë e qëndrimit, si ndikoi kjo në trupin e astronautëve të ngecur në hapësirë
Rekordi për qëndrimin më të gjatë në hapësirë për një mision të vetëm qëndron në 437 ditë, por një gjë është e sigurt: mjedisi i mikrogravitetit mund të ketë ndikime të thella dhe të befasueshme në trupin e njeriut.
Nga ndryshimet në muskuj dhe tru deri te modifikimet e baktereve të zorrëve, çdo ditë e kaluar në orbitë është një eksperiment mbi kufijtë e qëndrueshmërisë njerëzore.
Një mision i papritur prej nëntë muajsh
Astronautët Suni Williams dhe Butch Wilmore nuk kishin planifikuar të qëndronin në hapësirë për nëntë muaj.
Ata u nisën në qershor 2024 me anijen kozmike Boeing Starliner, me një mision që duhej të zgjaste vetëm tetë ditë.
Por problemet teknike me anijen bënë që ajo të kthehej në Tokë pa ta, duke i detyruar të qëndrojnë më gjatë sesa ishte parashikuar.
Të dy janë astronautë me përvojë dhe të njohur me sfidat e qëndrimit në hapësirë. Megjithatë, çdo qëndrim i zgjatur në një mjedis pa gravitet ndikon në trupin e njeriut.
Për të kuptuar më mirë efektet, ia vlen të shohim astronautët që kanë kaluar edhe më shumë kohë në orbitë.
Rekordet e qëndrimit në hapësirë
Më i fundit prej tyre është Frank Rubio, astronauti amerikan që kaloi 371 ditë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), duke thyer rekordin amerikan të mëparshëm prej 355 ditësh.
Rubio duhej të kthehej në Tokë në mars 2023, por një rrjedhje ftohëse e anijes kozmike e detyroi atë të qëndronte edhe disa muaj.
Kur më në fund u kthye në tetor 2023, ai kishte kryer 5,963 orbitime rreth Tokës dhe kishte udhëtuar 157.4 milionë milje në hapësirë.
Por ky rekord nuk e kaloi atë të kozmonautit rus Valeri Polyakov, i cili mbetet njeriu me qëndrimin më të gjatë në një mision të vetëm hapësinor me 437 ditë në bordin e stacionit hapësinor Mir në vitet ’90.
Në shtator 2024, Oleg Kononenko dhe Nikolai Chub theu rekordin për qëndrimin më të gjatë në ISS me 374 ditë në orbitë.
Kur u kthyen në Tokë, Kononenko kishte kaluar gjithsej 1,111 ditë në hapësirë në misionet e tij, duke u bërë njeriu me qëndrimin më të gjatë kumulativ në hapësirë.
Por si ndikon qëndrimi i gjatë në hapësirë në trupin e njeriut?
Ndryshimet në trupin e astronautëve
1. Muskujt dhe kockat
Pa gravitetin e Tokës, trupi pëson ndryshime drastike. Muskujt që ndihmojnë në mbajtjen e qëndrimit, si ata të shpinës, qafës dhe këmbëve, fillojnë të humbasin masën.
Pas vetëm dy javësh, masa e muskujve mund të ulet me 20%, ndërsa në një mision prej tre deri në gjashtë muaj, humbja arrin 30%.
Edhe kockat nuk janë imune ndaj këtij procesi. Astronautët humbasin 1-2% të masës kockore çdo muaj në hapësirë, dhe deri në 10% në gjashtë muaj.
Rreziku për fraktura bëhet më i madh dhe rikuperimi mund të zgjasë deri në katër vjet pas kthimit në Tokë.
Për ta parandaluar këtë, astronautët kryejnë 2.5 orë ushtrime çdo ditë në ISS, duke përdorur pajisje speciale që imitojnë ngritjen e peshave dhe vrapimin.
Por edhe ky regjim nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për të ndaluar humbjen e muskujve dhe kockave.
2. Humbja e peshës dhe ndryshimet në mikrobiomën e trupit
Humbja e peshës është një tjetër sfidë.
Scott Kelly, astronauti i NASA-s që qëndroi 340 ditë në ISS për të studiuar ndikimet e hapësirës në trupin e tij në krahasim me vëllain e tij binjak në Tokë, humbi 7% të masës trupore.
Ndryshimet prekin edhe bakteret e zorrëve.
Studiuesit zbuluan se mikrobioma e Scott Kelly-t pësoi ndryshime të mëdha pas kthimit nga hapësira, gjë që mund të ndikojë në sistemin e tretjes dhe imunitetin.
3. Ndryshime në tru dhe shikim
Pa gravitetin që tërheq gjakun poshtë, astronautët përjetojnë një rritje të presionit në kokë, e cila mund të shkaktojë edemë në pjesën e pasme të syve dhe ndryshime në shikim.
Disa astronautë raportojnë mjegullim të shikimit pas vetëm dy javësh në orbitë, dhe në disa raste këto ndryshime mund të jenë të përhershme.
Një studim mbi trurin e astronautëve zbuloi gjithashtu se zgavrat në tru, të quajtura barkushe, zmadhohen gjatë qëndrimit në hapësirë dhe duhen deri në tre vjet për të rikuperuar formën e mëparshme.
Kjo mund të ndikojë në funksionet njohëse dhe lëvizjen.
4. Efektet në ADN dhe plakje
Një nga zbulimet më të habitshme nga studimi mbi Scott Kelly ishte se telomeret, strukturat në fund të kromozomeve që lidhen me plakjen, u zgjatën gjatë qëndrimit të tij në hapësirë.
Kjo ishte një gjetje e papritur, pasi në Tokë ato zakonisht shkurtohen me kalimin e viteve.
Megjithatë, pas kthimit të tij, telomeret e tij u bënë më të shkurtra se para nisjes.
5. Ekspozimi ndaj rrezatimit
Në hapësirë, astronautët janë të ekspozuar ndaj rrezeve kozmike galaktike dhe grimcave energjike diellore, të cilat mund të shkaktojnë mutacione gjenetike dhe rritje të rrezikut për kancer.
Atmosfera e Tokës na mbron nga këto rrezatime, por astronautët e ISS raportojnë shpesh se shohin flakërime drite në sytë e tyre, që ndodhin kur grimcat e rrezatimit godasin nervin optik.
Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e eksplorimit hapësinor?
Ndikimet e qëndrimit të gjatë në hapësirë janë një çështje kyçe për misionet e ardhshme në Mars, të cilat mund të zgjasin deri në 1,100 ditë (rreth tre vjet).
Zgjidhja e këtyre problemeve do të jetë thelbësore për sigurinë e astronautëve në eksplorimet e ardhshme të thella të hapësirës.
Ndërsa njerëzimi përgatitet për misione më të gjata, studimet mbi trupin e astronautëve të sotëm do të jenë vendimtare për të kuptuar se si mund të mbijetojmë për periudha më të gjata përtej Tokës.
