Detaje nga sulmet ajrore amerikane ndaj rebelëve Houthi në Jemen

Administrata e presidentit Donald Trump ka nisur një valë të fuqishme dhe vendimtare sulmesh ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen, si përgjigje ndaj sulmeve të tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Në një deklaratë të prerë, Trump paralajmëroi se “pirateria, dhuna dhe terrorizmi” i grupit të armatosur të financuar nga Irani i kanë kushtuar botës miliarda dollarë dhe kanë vënë në rrezik jetë të pafajshme.

Ai u zotua për një përgjigje të ashpër, duke theksuar se “nuk do të tolerohen” dhe se SHBA do të përdorë “forcë dërrmuese vdekjeprurëse derisa të arrihet objektivi ynë.”

Sulmet ajrore goditën objektiva kyçe të Houthi-ve në Sanaa dhe në provincën veriore të Saada, bastionin e rebelëve.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga tymi të zi mbi aeroportin e Sanaa-s, ku ndodhen struktura ushtarake të grupit të mbështetur nga Irani.

Nga ana tjetër, Houthi-t, të cilët kanë ndërmarrë dhjetëra sulme ndaj anijeve tregtare që nga nëntori 2023, kanë paralajmëruar një kundërpërgjigje.

Por mesazhi i Trump është i qartë: çdo akt agresioni do të përballet me një përgjigje të fuqishme amerikane.