Protesta, Hoxha: Të rinjtë shqiptarë vuajnë, nuk është TikTok armiku, por sistemi i dështuar
Loranca Hoxha, kandidate për deputete në qarkun Tiranë, mori pjesë në protestën e thirrur nga opozita shqiptare, ku shprehu shqetësimet e saj për situatën aktuale të vendit. Ajo theksoi se, edhe pse ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë, asnjëherë nuk e ka menduar që do të kthehej për të protestuar për lirinë e shprehjes.
Sipas Hoxhës, ajo mendonte se prindërit e saj kishin fituar këtë luftë kur rrëzuan diktaturën, por pas 12 vitesh, ajo thotë se Shqipëria është përballur me një qeveri që shtyp fjalën e lirë dhe i merr të rinjve çdo mundësi. Ajo shprehu shqetësimin për gjendjen e rëndë të rinisë shqiptare, të cilët vuajnë nga papunësia dhe mungesa e mundësive për të krijuar një të ardhme.
Po ashtu, Hoxha kritikoi qeverinë për largimin e shqiptarëve, duke treguar se vendi është ndër të parët në Europë për kërkesat e azilit. Ajo vazhdoi më tej duke theksuar se nuk është TikTok-u ai që shkakton tragjedi, por dështimet e sistemit ekonomik dhe arsimor në Shqipëri.
Hoxha: "Kam lindur dhe jam rritur jashtë Shqipërisë dhe nuk e kam menduar kurrë që do kthehesha në vendin tim për të protestuar për fjalën e lirë.
Mendoja se këtë luftë e fituan prindërit tanë më shumë se 3 dekada më parë kur rrëzuan diktatoren, por jo, 12 vitet e fundit kemi parë se si një qeveri që urren të rinjtë, ata që mendojnë ndryshe, dhe fjalën e lirë ju ka marrë shqiptarëve gjithçka.
Të rinjtë sot vuajnë nga papunësia, korrupsioni dhe mungesa e shpresës për të ndërtuar jetën dhe familjen në këtë vend të bekuar.
Shqipëria, e cila mban rekordin e zi për numrin më të lartë të kërkuesve të azilit në Europë, shikon si armikun kryesor TikTok-un. Por ky është vetëm një moment dëshpërimi i kësaj qeverie që kërkon të fshehë hallet e vërteta të popullit të vuajtur.
Nuk është TikTok-u ai që vret, është mungesa e një vendi pune, nuk është TikTok-u ai që vret, por është sistemi arsimor i degraduar".
VIDEO – LIVE/ NDIQNI PROTESTËN E SOTME TË OPOZITËS NË TIRANË


