3 vizitat e Hashim Thaçit nga Haga që lidhen me sëmundjen e prindërve
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje për herë të tretë që nga 5 nëntori i vitit 2020 kur u arrestua nga Gjykata Speciale vizitoi Kosovën.
Ai erdhi në vendin, pavarësinë e të cilit e shpalli më 17 shkurt 2008, për të njëjtën arsye, vizitë prindërve të sëmurë rëndë.
Pas dy refuzimeve, Thaçit iu lejua vizita tek i ati, në masa të rrepta sigurie.
Ish-presidenti Thaçi, i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurimit të Gjykatës Speciale dhe Policia e Kosovës, u shfaq në oborrin e QKUK-së rreth orës 11:00.
Thaçi për tri orë qëndroi pranë babait që po lëngon nga një sëmundje e rëndë, ngjarje kjo që u përcoll edhe nga ekipi i gazetës online Reporteri.net.
Për vizitën e Thaçit në Kosovë, nga Dhomat e Specializuara në Hagë thanë për Gazetën Online Reporteri.net se arsyeja e lejimit ishte bindëse humanitare.
“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij.
I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, kishte thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle.
E para klinikës interne në QKUK ku ndodhet i shtrirë Haxhi Thaçi, u mblodhën shumë qytetarë.
Ai i përshëndeti qytetarët e mediat e shumta me dorën në zemër dhe gishtin e tij të famshëm.
Dalja e tij u shoqërua gjatë gjithë kohës kishte thirrje “UÇK, UÇK”.
Deri pothuajse tek vetura, Thaçin e shoqëroi një nga mjekët e QKUK-së, i cili në fund edhe e përqafoi ish-presidentin, veprim ky që nervozoi një nga pjesëtarët e sigurimit të Gjykatës Speciale.
Vizita e tij ngjalli shumë reagime në Kosovë. Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, në reagimin e saj e ka bërë në profilin e saj në Facebook ku ka shkruar se ‘‘dielli do të lind përsëri’’.
‘‘Dielli do të lind përsëri, President!’’, ka shkruar ajo.
Për vizitën foli edhe tekniku i radiologjisë, Selman Rexhepi. Ai tha se e ka takuar “me lot në sy” Thaçin.
“Jam shumë i lumtur që e kam takuar… Ai është luftarak i madh i çështjes kombëtare. Të gjithë luftëtarëve që janë në Hagë po ju bëhet e padrejtë”, tha ai në T7.
Rexhepi shtoi se EULEX’i nuk e ka lënë të flasë me Thaçin.
Rexhepi shtoi se Thaçi qëndroi pranë babait të tij për rreth tri orë. Ai tha se gjendja e babait të Thaçit “nuk është e mirë”.
Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka fajësuar Gjykatën Speciale për qasje të politizuar në vendimet e saj, veçanërisht në lidhje me refuzimin për disa herë të vizitës humanitare.
Behrami ka theksuar se miratimi i vonuar i vizitës është bërë vetëm pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Kosovë.
“Të drejtat e zoti Thaçi dhe krerëve të UÇK-së u janë shkelur që nga dita e parë, kur janë marrë para pothuajse 5 vitesh. Dhe në mënyrë sistematike të drejtat e tyre janë shkelur. Në kohën e fundit e kemi parë që presidenti Thaçi dhe mbrojtja e tij kanë bërë disa kërkesa për të vizituar babin e tij, i cili është i sëmurë tash tri javë e më shumë, për të vizituar atë. Mirëpo Gjykata Speciale, e udhëhequr prej dotrinave politike, ka anuluar vizitat e tij”, tha Behrami.
Tutje, ai thotë se është e papranueshme që Gjykata Speciale tregon se sa duhet të jetë i sëmurë dikush që të vizitohet nga ata që po mbahen në Hagë.
“Dhe kur i ka anuluar ato? I ka anuluar ato kur kemi qenë në një fushatë zgjedhore, pra Gjykata Speciale nuk është ndonjë trup i pavarur që vendos larg politikes, por pikërisht i analizon rrethanat politike, se cilës parti i bien mirë e cilës keq, ajo vendos se kur duhet ta vizitojë presidenti Thaçi babain e tij.
Është e papranueshme që Gjykata Speciale në argumentin e tyre e kanë bërë një analizë se sa duhet me qenë i sëmurë dikush për ta vizituar atë. Për të plotësuar këtë kriterin e vizitës humanitare”.
Behrami thekson se tani e rëndësishme është që Thaçi e ka parë babanë e tij.
“Unë mendoj që kjo është e padrejtë, pas katër kërkesave më në fund presidenti Thaçi është lejuar të vij te babai i tij. Të vizitojë babain e tij.
Më mirë do të ishte ta vizitonte tri jave më përpara. Meqë kur dikush është i shtrirë në spital, zakonisht gjendja e tyre më shumë ka predispozita më u përkeqsu se sa me u permiresu.
E orientuar nga paragjykimet por edhe nga analizat politike Gjykata Speciale nuk ka dashur që presidenti Thaçi të vijë para fushatës ose gjatë fushatës elektorale.
Dhe ka prit që fushtata dhe zgjedhjet të kalojnë dhe nëse babai i presidentit është gjallë deri atëherë ia lejojnë vizitë.
Dhe kështu ndodhi”, ka thënë Behrami në Dukagjini.
Ish-presidenti Hashim Thaçi ishte për vizitë në Kosovë edhe më 2 shtator të vitit 2023.
Ajo vizitë u zhvillua në fshatin Burojë. aty ku jetojnë prindërit e tij.
Ish presidentit Thaçi një vizitë e tillë i ishte aprovuar edhe në maj të atij viti, viti për shkak të siç ishte cekur nga trupi gjykues “arsyeve bindëse humanitare”.
Atë kohë Thaçi kishte qëndruar vetëm disa orë në Kosovë për të vizituar nënën e cila kishte probleme shëndetësore.
Ai ndodhet në paraburgim që nga nëntori 2020. Thaçi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.
