Reagimi i tifozëve të Atleticos: Nëse UEFA ka pamje që konfirmojnë atë që ka thënë VAR-i, t’i bëjë publike
Pavarësisht një fillimi të mirë dhe një goli të hershëm nga Conor Gallagher, Atletico Madridi e mbylli mbrëmjen në mënyrë zhgënjyese, duke u eliminuar pas një serie penalltish të diskutueshme.
Goditja e Julian Alvarez u anulua për një prekje të dyfishtë të dyshuar, duke çuar arbitrin në një vendim që shkaktoi polemika.
Ndërsa Real Madrid mendon se vendimi ishte i drejtë, Unioni Ndërkombëtar i Tifozëve të Atlético-s ka shpërthyer kundër këtij vlerësimi.
Në një postim në X, grupimi i tifozëve ‘rojiblancos’ kërkoi qartësi mbi situatën, duke e cilësuar vendimin si "kontrovers".
"Me kalimin e kohës, vjedhja bëhet gjithnjë e më e qartë.
Është thelbësore të vihet në pikëpyetje ndeshja për të zbuluar të vërtetën.
Nëse UEFA ka pamje që konfirmojnë atë që ka thënë VAR-i, duhet t’i bëjë publike ato."
Më tej, ata shtojnë: "Nëse jo, mund të konsiderojmë veprime ligjore kundër arbitrave dhe UEFA-s."
Kjo deklaratë tregon frustrimin në rritje të tifozëve të Atletico Madridit, të cilët e konsiderojnë këtë një "vjedhje" të mirëfilltë.
