Rusia nuk pranon! Kremlini: Armëpushimi 30 ditor vetëm do t’i jepte kohë Ukrainës për të sulmuar
Kremlini ka refuzuar armëpushim 30 ditor me Ukrainën pak kohë para mbërritjes së delegacionit amerikan në Moskë. Zëdhënësi i presidencës ruse është shprehur në televizion kombëtar se paqja e përkohshme vetëm do t’i jepte kohë Ukrainës që të rimëkëmbet nga presioni që Rusia ka bërë ndaj trupave të saj.
Disa orë para se delegacioni amerikan të mbërrijë në Moskë për të kërkuar pajtimin për armëpushimin 30 ditor me Ukrainën, Kremlini ka dalë në qëndrimin se nuk do t’a pranojnë këtë propozim.
Një zëdhënës i lartë i presidencës ruse, në televizonin kombëtar tha se propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, që Kievi e ka pranuar, vetëm do t’i jepte kohë Ukrainës që të rimëkëmbet nga presioni që Rusia i ka bërë ndaj trupave të saj.
“E kam paraqitur qëndrimin tonë se kjo nuk është asgjë më shumë se sa një pushim për ushtrinë ukrainase, asgjë më shumë”, u shpreh këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Kremlinit.
Duke shtuar se qëndrimin e Moskës ia ka paraqitur këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar një ditë më parë.
Presidenti amerikan e ka bërë prioritet kryesor përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës që kur ka marrë mandatin e dytë presidencial më pak se dy muaj më parë, duke bërë përpjekje diplomatike me një ritëm të shpejtë.
Delegacionet ukrainase dhe amerikane po ashtu diskutuan për rëndësinë e përpjekjeve humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçmas gjatë armëpushimit, përfshirë këmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e civilëve të arrestuar dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë.
Pas negociatave, SHBA-ja nisi ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.

