Presidenti polak u kërkon udhëheqësve të NATO-s të rrisin shpenzimet ushtarake

Presidenti polak Andrzej Duda i ka kërkuar zyrtarisht liderëve të vendeve anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes nga 2% në të paktën 3% të PBB-së.

Në një letër të dërguar të mërkurën, ai theksoi nevojën për veprim të menjëhershëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe mbështetjen e aleancës.

Duda bëri thirrjen e tij në kuadër të 26-vjetorit të anëtarësimit të Polonisë në NATO, duke i kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që kjo çështje të diskutohet në samitin e ardhshëm në Hagë.

“Nuk kemi më kohë për diskutime. Na duhen vendime. Duhet të veprojmë tani,” theksoi ai.

Presidenti polak kujtoi se ishte i pari që ngriti këtë temë në samitin e fundit të NATO-s në Uashington.

Së fundmi, ai ka propozuar edhe një amendament kushtetues për të garantuar që Polonia do të ndajë të paktën 4% të PBB-së për mbrojtjen dhe sigurinë.

Duda, i njohur për marrëdhëniet e tij të mira me ish-presidentin Donald Trump dhe administratën e tij, e vlerësoi SHBA-në si “shtyllën kryesore të NATO-s” dhe theksoi se forca e aleancës qëndron në unitetin dhe vendosmërinë e saj.

Në fund të prillit, ai do të organizojë në Varshavë një samit përvjetor të Iniciativës së Tre Deteve, ku synon të ftojë edhe presidentin amerikan.

Polonia, e cila u bashkua me NATO-n më 26 vjet më parë, është tashmë një nga mbështetëset kryesore të aleancës në krahun lindor të Evropës.