Hoxha Piku: Adhurimi është çdo vepër e mirë që njeriu e bën për hir të Zotit dhe një mundësi për t’u afruar me të

Diten e sotme, i ftuar në emisionin “Kjo është Koha” në Ora News, hoxha Ferid Piku foli mbi konceptin e adhurimit dhe rëndësinë e tij në jetën e besimtarëve.

Ai theksoi se adhurimi është çdo vepër e mirë që njeriu e bën për hir të Zotit, duke përfshirë lutjet, bamirësinë dhe sjelljet e mira ndaj të tjerëve.

Gjatë diskutimit, Hoxha Piku nënvizoi një aspekt të rëndësishëm të besimit: Njeriu u la i lirë ta adhurojë Zotin ose jo, dhe kjo e bën atë të veçantë.

Kjo liri për të zgjedhur rrugën e adhurimit është një dhuratë dhe një përgjegjësi njëkohësisht, duke i dhënë secilit mundësinë të përcaktojë marrëdhënien e tij me Zotin.

Duke folur për muajin e shenjtë të Ramazanit, Hoxha Piku e cilësoi atë si një festival adhurimesh, një kohë e pastrimit shpirtëror dhe e përkushtimit të thellë. Sipas tij, agjërimi, lutjet dhe veprat e mira gjatë këtij muaji e ndihmojnë njeriun të afrohet më shumë me Zotin dhe të arrijë një nivel më të lartë të ndërgjegjësimit shpirtëror.

Në fund, hoxha theksoi se Zoti gjithçka ia nënshtroi njeriut dhe njeriun e deshi për vete. Kjo tregon dashurinë e madhe të Krijuesit për krijesën e Tij dhe rëndësinë që ka njeriu në rendin hyjnor.

Për këtë arsye, adhurimi nuk është një detyrim i imponuar, por një mundësi për të njohur dhe falënderuar Atë që i ka dhënë gjithçka njeriut.