Kryeministri irlandez: SHBA-ja, partnere e domosdoshme në kohën e rrezikut të madh

SHBA mbetet një partner i domosdoshëm në një kohë me rrezik të madh në botë, tha kryeministri irlandez, Micheal Martin.

Martin do të vizitojë Austin, Teksas, përpara se të niset për në Uashington DC për festimet tradicionale të Ditës së Shën Patrikut në kryeqytetin amerikan.

Ai do të marrë pjesë në një takim dypalësh me presidentin amerikan, Donald Trump të mërkurën.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë lidhjet midis SHBA-së dhe Irlandës, marrëdhëniet ekonomike, luftën në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme dhe Irlandën e Veriut.

Martin do t’i dhurojë Trumpit tasin tradicional me simbolin e Irlandës, duke shprehur urimet e popullit të Irlandës popullit për Ditën e Shën Patrikut.

Një mori ministrash të qeverisë irlandeze do të udhëtojnë gjithashtu në SHBA, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Simon Harris, i cili do të vizitojë Filadelfian dhe Nju Jorkun, në një kohë që është përshkruar si një pikë kyçe në marrëdhëniet evropiano-amerikane.

Duke folur përpara vizitës së tij në SHBA, Martin e përshkroi Ditën e Shën Patrikut si një mundësi për të festuar lidhjet dhe partneritetet ndërkombëtare të Irlandës.

“SHBA-ja është një nga partnerët më të fortë të Irlandës, një partneritet i ndërtuar mbi një themel të pasur të lidhjeve stërgjyshore dhe lidhjeve të ngushta ekonomike, diplomatike dhe politike”, tha ai.

“Vizita ime do të synojë forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy vendeve tona me fokus në lidhjet ekonomike, politike dhe njerëzit me njerëzit”, tha Martin.

“Vizita ime është gjithashtu një mundësi për të nxjerrë në pah marrëdhëniet tona të forta dhe në rritje të tregtisë dhe investimeve, një marrëdhënie që është gjithnjë e më e dyanshme”, shtoi ai.

“Irlanda është burimi i gjashtë më i madh i investimeve të huaja direkte në SHBA, duke mbështetur qindra e mijëra vende pune në të gjithë SHBA. Jam i kënaqur që takohem me presidentin Trump dhe kam mundësinë të reflektoj me të për marrëdhëniet dypalëshe”, tha Martin.

“Vizita ime në SHBA vjen në një moment rreziku të madh për botën. SHBA mbetet një partnere e domosdoshme dhe aktore global. Mezi pres të diskutoj me Presidentin Trump se si Irlanda, së bashku me partnerët tanë të BE-së, mund të punojnë me të dhe administratën e tij për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të siguruar paqen, qoftë në Lindjen e Mesme apo në Ukrainë”, theksoi Martin.