Grabitën 1.5 miliardë Ethereum, konvertuan 300 milionë! ByBit: Shpërblime të majme kush zbulon fondet e hakerave
Grupi Lazarus që dyshohet se grabiti 1.5 miliardë dollar në kriptomonedha ka arritur të zhdukë përfundimisht 300 milionë. Shuma tashmë është konvertuar në llogari të paarritshme. Agjencitë në luftën kibernetike kanë deklaruar se do të shpërblejnë me shuma të majme këdo që arrin të zbulojë lëvizjet
Grupi që arriti të grabiste rreth 1.5 miliardë dollar në kriptomonedha tashmë ka arritur të konvertojë rreth 300 milionë prej tyre. ekspertët shprehen se pas veprimeve dyshohet të jetë Lazarus Group, hakerë të lidhur me regjimin e Koresë së Veriut. Veprimet janë kryer përmes një rrjeti kompleks pastrimi parash që e bën të vështirë kapjen ndërsa shtohet se Hakerët veprojnë në grupe dhe 24 orë në ditë.
Rreth 20% e fondeve, sipas ByBit dhe Elliptic, janë tashmë "zhdukur" dhe konsiderohen të humbura përgjithmonë.
Sulmi u krye më 21 shkurt 2025, kur Lazarus Group komprometoi një prej furnizuesve të ByBit, duke ndryshuar në mënyrë sekrete adresën e portofolit dixhital ku po dërgoheshin 401,000 Ethereum. Në vend që fondet të dërgoheshin në portofolin e ByBit, ato përfunduan drejtpërdrejt në kontrollin e hakerëve.
Pavarësisht shifrës marramendëse, CEO i ByBit, Ben Zhou, u shpreh se fondet e klientëve janë të sigurta, pasi kompania ka zëvendësuar menjëherë asetet e vjedhura falë huave të marra nga investitorët. Zhou deklaroi gjithashtu se ByBit tashmë është në "luftë të hapur" me grupin Lazarus.
Që nga momenti i grabitjes, ekspertët e sigurisë kibernetike dhe kompanitë e hetimeve të kriptomonedhës, si Elliptic, kanë ndjekur çdo hap të fondeve të vjedhura.
Po ashtu dyshohet se Lazarus është përgjegjës për vjedhjen e 41 milionë dollarëve në kripto në vitin 2019, 275 milionë në 2020 ku shumica u arrit të rikuperohet, 600 milionë ne 2022 dhe 100 milionë ne 2023.
Për të ndaluar hakerët, ByBit ka nisur një program shpërblimi publik, "Lazarus Bounty", duke ofruar para për këdo që ndihmon në gjurmimin dhe ngrirjen e fondeve. Deri tani, 20 persona kanë fituar më shumë se $4 milionë në shpërblime, pasi ndihmuan në gjurmimin e $40 milionëve nga fondet e vjedhura.

