Dita Ndërkombëtare e Gruas/ Miliona gra dhe vajza protestuan në mbarë botën

Me lule dhe slogane kundër dhunës, pabarazisë dhe diskriminimit, miliona gra në mbarë botën demonstruan për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Nga Athina në Madrid, Paris, Mynih, Cyrih dhe Beograd dhe në shumë qytete të tjera anembanë kontinentit, gratë morën pjesë në mitingje duke kërkuar t'i jepej fund trajtimit të tyre si qytetare të dorës së dytë në shoqëri, politikë, familje dhe punë.

Në Madrid, protestuesit mbanin pankarta të pikturuara me dorë që përshkruanin Gisele Pélicot, e cila është bërë një simbol për gratë në të gjithë Evropën në luftën kundër dhunës seksuale.

Në kryeqytetin nigerian, Lagos, mijëra gra u mblodhën në stadiumin Mobolaji Johnson, duke kërcyer dhe festuar. Shumë ishin të veshur me vjollcë, ngjyra tradicionale e lëvizjes për çlirimin e grave.

Në Rusi, festimet e Ditës Ndërkombëtare të Gruas morën një ton më zyrtar, me ushtarët e gardës së nderit që u ofronin tulipanë të verdhë vajzave dhe grave gjatë festimeve në Shën Petersburg.

Në Stamboll, qindra gra dëgjuan fjalime, kërcyen dhe kënduan nën diellin e pranverës. Protesta plot ngjyra u mbajt nën mbikëqyrjen e policëve të armatosur të cilët kishin në dispozicion topa uji nga frika e trazirave.

Në Berlin, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje për përpjekje më të forta për të arritur barazinë dhe paralajmëroi për tendencën për të kthyer progresin që tashmë është bërë. Në Amerikën e Jugut, disa nga marshimet u organizuan nga grupe që protestonin kundër vrasjeve të grave.

Qindra gra në Ekuador marshuan nëpër rrugë duke mbajtur pankarta kundër dhunës dhe “sistemit patriarkal”.