Trajtimet po ndikojnë pozitivisht/ Vatikani: Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut është stabile

Gjendja klinike e Papa Françeskut ditët e fundit ka mbetur stabile, gjë që tregon se ai po i përgjigjet pozitivisht trajtimeve. Njoftimi i Vatikanit tha se po regjistrohet një përmirësim gradual, i lehtë dhe Papa mbeti pa temperaturë. Gjithashtu ka një përmirësim të vlerave të testit të gjakut, ndërsa funksioni i frymëmarrjes mbetet i qëndrueshëm në të njëjtat nivele.

Zyra e Shtypit e Vatikanit njofton gjithashtu se mjekët, derisa të konfirmohet ky përmirësim fillestar sot dhe në ditët në vijim, aktualisht nuk po komentojnë për ecurinë e shëndetit të Papës. Gjatë ditës, ai falej në kapelën pranë dhomës së tij, merrte kungimin, ndërsa pasdite pushonte dhe merrej me çështjet që kishin të bënin me kishën katolike romake.