GJKKO lë në burg 3 shefat e policisë! BISEDAT NË “SKY”/ “Doli Nojzi” - “Lidhjet i kam me shtet”, policët informonin trafikantët për aksionet: Dëm 1.7 milionë euro, do veprojmë jashtë
Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për zyrtarët e lartë të policisë dhe ish-efektivin e Operacionales që dyshohet se janë përfshirë në trafikun e drogës.
Të arrestuarit janë Shkëlzen Ruska, shefi i krimeve në Komisariatin e Himarës, Ervis Alisinanaj, shefi i krimeve në Komisariatin e Lushnjës, dhe ish-efektivi i Forcave Operacionale, Erdit Hazizaj.
Ky vendim erdhi pas një hetimi të thelluar mbi veprimtarinë e tyre, e cila dyshohet se përfshin abuzime me detyrën dhe lidhje me aktivitete kriminale.
BISEDAT NË “SKY”
Në dosjen e SPAK, ku janë administruar jo vetëm biseda në të cilat një trafikant tregon i shqetësuar “se kam investuar 250 dhe do fitoj 650 mijë euro” dhe sipas tij po humbiste shumë, “megjithëse lidhjet i kam me shtet”.
Trafikanti shkruan se herë tjetër do veprohet jashtë vendit duke kujtuar dëmin që i është bërë prej 1.7 milionë euro pasi iu bllokua në Greqi.
Oficerët e arrestuar dhe një tjetër në kërkim ndihmonin për dhënien e informacionit për aksionet antidrogë.
Ndërkohë që në listën e të kërkuarve që jetojnë jashtë dhe janë në kërkim nga SPAK veço Kristo Qiricit janë edhe Benci Toska, Shkëlqen Kraja, Xhino Nebi, Luic Bala.
Dy kryesorët nga hetimi i deritanishëm janë Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj, ndërsa në bisedat e Sky Ecc nga të dyshuarit përmenden edhe emra të tjerë oficerësh të policisë si dhe zyrtarë.

Nderkaq detaje nga dosja në të cilën oficeri i policisë Shkëlqen Ruska është identifikuar si përdorues i këtij aplikacioni pasi ka qenë duke komunikuar me të kërkuarin Kristo Qirici, kreu i një grupi kriminal i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha).
Në një nga këto komunikime teksa flasin për një dhomë hoteli Kristo shkruan që duhet të flasë me Mondin që siç thotë SPAK është Edmond Papa.
Oficeri në një rast kërkon ndërhyrjen e Qiricit nëse njihte ndokënd tek spitali infektiv pasi po dërgonte me urgjencë të atin i cili ishte prekur nga covidi. Ditë më vonë pasi i ati i ndërron jetë oficeri ngushëllohet nga Qirici.
Në vazhdën e ndihmave qe oficerët kanë ofruar është ajo e këshillimit që grupi të gjente lidhje pranë Shik sepse siç shkruan në Sky Ecc një tjetër oficer policie “në 2016 dëmi për drogën kur u kultivua e bëri Shik sepse dërgonte informacione në polici dhe policia s’kishte çfarë të bënte”

Edhe shefi i policisë Elvis Dervishi që është identifikuar si përdorues i Sky flet me Qiricin dhe në biseda ata flasin për të ndërhyrë që oficeri të ngrihet në detyrë. Ndërsa ish shefi i Sarandës Eljon Alushaj komunikon po në Sky në datën 17 shtator 2020, ditë në të cilën forcat Shqiponja ndalojnë shtetasin Xhino Nebi. Ky shtetas ia lë armën kushëririt të tij mosha 15 vjeç.
“Kanë kapur Xhin le ta mbajë ai i vogli 15 vjeç e ta nxjerrin Xhin, i thamë nxirre. Kishin bërë postbllok nëntë veta të Shqiponjave tek Spitali”.
Më pas i njëjti oficer i shkruan duke e njoftuar “Doli Nojzi”./TCh


