Swinney: Jo vizitës së dytë të Trumpit në BM, nëse SHBA tërheq mbështetjen për Ukrainën
Kryeministri skocez, John Swinney deklaroi se vizita e dytë shtetërore e presidentit amerikan, Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar nuk duhet të bëhet nëse Shtetet e Bashkuara tërheqin mbështetjen për Ukrainën.
Swinney tha se aktualisht është e vështirë të shihet që vizita të zhvillohet duke pasur parasysh ngjarjet tronditëse në Zyrën Ovale të premten, kur një përplasje midis Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky u transmetua në të gjithë botën.
Komentet e Swinney në gazetën ”Sunday Mail” vijnë ndërsa liderët evropianë janë në Londër për të krijuar një qëndrim të përbashkët për mbështetjen e Ukrainës, në vazhdën e takimit të trazuar në Shtëpinë e Bardhë.
Disa raporte kanë sugjeruar se Trump po shqyrton ndalimin e ndihmës amerikane për Ukrainën, e cila kohët e fundit shënoi trevjetorin e pushtimit rus.
Më herët gjatë javës, kryeministri Keir Starmer i paraqiti Trumpit një letër nga mbreti Charles III, e cila sugjeronte takimin në pronat mbretërore në Skoci përpara një vizite shtetërore.
Swinney tha se ”nëse SHBA tërheq mbështetjen nga Ukraina, duke braktisur një aleat dhe duke tradhtuar demokracinë, vizita shtetërore nuk mund të bëhet. Kjo është thjesht e paimagjinueshme”.
“Kjo do të thotë të qëndrojmë të palëkundur pas Ukrainës dhe përkrah aleatëve tanë evropianë, dhe pikërisht këtu do të jetë edhe Skocia”, theksoi ai.
Lideri i Partisë Kombëtare Skoceze ka thënë më parë se nuk do të refuzonte të takonte Trump nëse ai do të vinte në Skoci, ku zotëron dy fusha golfi.
Swinney foli me presidentin amerikan në një telefonatë më 10 dhjetor, në të cilën ata diskutuan dashurinë e Trump për Skocinë, ku ai ka rrënjët familjare.
