Operacioni i SPAK te UBT për abuzime me tenderat, masë sigurie dhe për bashkëshortin e zv.ministres Ana Kapaj
Janë zbardhur detaje të reja lidhur me operacionin e Prokurorisë së Posaçme te Universiteti Bujqësore i Tiranës. SPAK lëshoi 24 masa sigurie për stafin e UBT, pasi dyshohen për abuzime me tenderat.
Bëhet me dije se masa e sigurisë "detyrim paraqitje" është caktuar për dy zëvendësrektorët, Romina Koto dhe Ilir Kapaj. Ky i fundit është bashkëshorti i zëvendësministres së Arsimit, Ana Kapaj.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar me detajet e sakta të operacionit nga SPAK, por janë zbardhur emrat e 5 personave për të cilët është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg". Të arrestuarit janë Edmond Tërthorja, Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto dhe Piro Zoga.
Masa e sigurisë "arrest shtëpie" u caktua ndaj 10 personave të tjerë. Në arrest shtëpie janë lënë Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho dhe Tedi Proda. Gjithashtu janë firmosur 9 masa "detyrim paraqitje".
Deri më tani nuk dihet ende nëse rektori Fatbardh Sallaku është i përfshirë gjithashtu në shkelje. Kryeministri Edi Rama reagoi pas lajmeve dhe tha se masat e sigurisë u caktuan pa gjyq. Gjithashtu njoftoi se grupi parlamentar i PS-së do të mbajë nesër një seancë dëgjimore në Kuvend me Sallakun lidhur me çështjen.
